Pathyeshmëria e Partizanit dhe armët e derbit, Duro analizon…

Luhet Tirana-Partizani, shumë pak persona mund të mos e kenë marrë vesh që në kryeqytet rikthehet një ndeshje që na ka munguar prej afro një viti e gjysmë. Në kafene, në rrugë, në shkollë kudo flitet për ndeshjen që ka qenë vitrinë për futbollin shqiptar, për shkak të atmosferës që krijohet në stadium dhe jo vetëm. Java e gjashtë, më shumë se një javë e zakontë kampionati personifikohet si java e derbit dhe sfidat e tjera, dashur pa dashur nuk janë dhe aq në qendër të vëmendjes.

Duke qenë se bëhet fjalë për një nga ndeshjet që luhet prej dekadash “ish”-ët janë të shumtë, por “SportEkspres.com” ka veçuar Shpëtim Duron si njeriun derbi, për një arsye të thjeshtë, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për derbin e kryeqytetit, por për tre derbit që luhen në shqiptari. Si trajner Duro ka një karrierë të pasur, pasi ka drejtuar në Shqipëri në shumë skuadra, por dhe në Maqedoni Shkëndijën e Tetovës, si dhe së fundmi në Kosovë. Edhe pse Tirana pret një ndeshje të madhe, në Gjilan është një sfidë po aq emocionuese, pasi luhet Gjilani-Drita, e programuar mesditën e së dielës.

Ne kontaktuam trajnerin, i cili po bëhet gati që të jetë pjesë e një tjetër derbi, pasi ka provuar emocionet me Partizanin dhe Shkëndijën. Nga Kosova, Duro tregon që dhe në Kosovë emocionet e derbit janë të veçanta, por thekson se ka tjetër magji një ndeshje mes Partizani dhe Tiranës në një “Qemal Stafa” të mbushur plot. E ardhmja, parashikimi, pesha e 13 ndeshjeve direkte pa fitore për Tiranën, apo dhe këshilla për ata që luajnë për të parën herë në një ndeshje të tillë, nuk mungojnë në intervistën e mëposhtme.

Intervistoi: JURGEN ZELA 

Profesor keni nisur një aventure të re dhe që në ndeshjen e dytë luani derbin Gjilani-Drita. Si është atmosfera para një takimi të tillë në Kosovë?
-Si ndeshjet derbi, atmosferë dhe rivalitet midis tifozerive. Përgatitje gjithë javës për këtë ndeshje në të gjitha aspektet.

Keni qenë pjesë e derbit të Tiranes, të Tetovës dhe tani në Kosovë. Çfarë do të thotë kjo për ju, diçka e rrallë?
-E rrallë, por derbi Tirana-Partizani dhe në një stadium si “Qemal Stafa” të mbushur është i veçantë. E kujtoj dhe i shikoj me emocion ndeshjet derbi të sezonit 2014-15, kur siç e dini skuadra në drejtimin tim filloi pathyeshmërinë në derbi me Tiranën. Asnjë humbje. 

Çfarë e bën kaq të veçantë këtë përballje, për të cilën flitet që një javë përpara?
-Patjetër që diskutimet vetëm te derbi përqendrohen. Pastaj ndikon edhe rivaliteti qysh në kohët kur luanim vetë.

Keni besim se Partizani mund ta mbajë këtë ecuri pozitive, që nisi pikërisht nga drejtimi juaj?
-Patjetër kam dëshirë shumë, por të shohim si do zhvillohen situatat.

Kush mund ta vendosë këtë derbi, duke marrë në konsideratë faktin që skuadrat kanë ndryshuar shumë nga hera e fundit që janë takuar?

-Nuk mund të them kush do ta vendosë, por Partizani më duket që e përqendron lojën në grup. Patjetër duke veçuar ndonjë individualitet si Trashi e Asani. Tirana më duket skuadër me më shumë cilësi dhe e shpejtë në pjesën ofensive.

Do kemi mundësi ndoshta në të ardhmen ta shohim Duron sërish pjesë të një derbi Partizani-Tirana?
-Kjo varet nga drejtuesit e Partizanit, nëse kanë dëshirë të më afrojnë. Por unë aty kam qenë, jam dhe do të jem. Jam larguar i suksesshëm atë sezon, por me mirëkuptim. Nga viti 2000 mund të kem qenë protagonist më shumë se i 10 derbeve në rolin e trajnerit.

Duke qenë se ka lojtarë të rinj, që nuk e kanë provuar emocionin që të jep derbi, çfarë këshille u jep Duro?
-Janë të rinj në moshë, por Bardhi dhe Mala janë mjaft cilësorë dhe pa problem që e përballojnë shumë mirë derbin me kualitetin që kanë.

Sa mund të rendojë te Tirana fakti që ka kaq shumë ndeshje pa fitore ndaj Partizanit? E shton presionin kjo gjë te lojtarët në fushën e blertë?
-Patjetër që ka ndikim psikologjik, por varet si do punohet dhe menaxhohet nga stafi teknik

Së fundmi, mund të na jepni një parashikim për këtë sfidë?
-Partizani ka avantazhin dhe barazimin, por nuk po e parashikoj. Do e shikoj me mjaft interes.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *