Pasioni s’njeh kufij, interistët kapin shifrën rekord ndaj Torinos

Interi i Luçiano Spaletit nuk debutoi siç pritej në Serie A. Por, kampionati sapo ka filluar dhe këtë të diel zikaltrit do të kthehen në “San Siro”, ku presin Torinon e drejtuar nga “ish”-i Mazarri. Disfata ndaj Sasuolos nuk ka shuar pasionin e tifozëve interistë, pasi në mbrëmjen e të dielës pritet të shënohet rekordi i javës në Itali.

Plot 60000 tifozë do ndjekin ndeshjen midis Interit dhe klubit “granata”. Shifër kjo rekord për këtë sezon të Seria A. Përveç 37000 abonentëve sezonalë (më e larta në Itali), në biletaritë online dhe ato fizike janë shitur 23000 bileta dhe ky numër pritet të rritet.

Kjo mbështetje kaq e madhe duhet të shoqërohet me një performancë bindëse nga ane e djemve të Spaletit. Por ndaj Torinos nuk do të jetë dhe aq e thjeshtë. Në ndeshjen ndaj Romës, ekipi i Mazarrit dha një paraqitje mjaft të mirë, dhe vetëm “perla” e Edin Xhekos në limite ia mohoi barazimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *