Pashaj: Kukësi më i avantazhuar, por dua që të fitojë Flamurtari

Mbrojtësi kryeqytetas analizon nga Belgjika ndeshjen mes vlonjatëve dhe verilindorëve, tregon momentet e veçanta me këto skuadra, por dhe flet për karrierën e tij 

Jurgen Zela

Entonio Pashaj u largua nga Superiorja në verën e shkuar, për të nisur një aventurë të re në Belgjikë. 33-vjeçari tregon se vijon të jetë aktiv me futbollin e luajtur, por është futur dhe në botën e trajningut. Nga Belgjika, për “Sport Ekspres”, Pashaj analizon ndeshjen e dy ish-skuadrave të tij. Ai e pranon se Kukësi është më i avantazhuar, por në të njëjtën kohë dëshiron që të triumfojnë kuqezinjtë. Me statusin e kampionit në Belgjikë, Pashaj nuk nguron ta thotë se e ardhmja e tij do të jetë larg Shqipërisë, por kthehet pas në kohë, për të kujtuar momentet më të veçanta me Flamurtarin dhe Kukësin.

– Enton, si po shkon aventura juaj në Belgjikë?

Kam nisur një aventurë të re në Belgjikë, saktësisht në ligën e tretë, me skuadrën e KFC Edegem. Për momentin po luftojmë që të ngjitemi një kategori më lart. Po ashtu jam dhe trajner i skuadrës U-17, po te ky ekip.

–  E mendoni një rikthim në Superiore?

Nuk besoj se do të rikthehem më në Superiore. Do të vazhdoj këtej sa të më japë zoti fuqi sepse është pasioni. Po ashtu po investoj dhe po përqendrohem dhe në karrierën si trajner. Ndihem mirë duke stërvitur fëmijët dhe uroj që të kem një të ardhme të mirë si trajner.

– Sa dallon futbolli shqiptar me atë belg, kaq shumë diferenca ka?

Diferencat janë të mëdha, pasi është një nga kampionatet më të forta. Kjo pasi është një nga vitrinat dhe furnizueset më të mëdha për të gjitha skuadrat në Europë. Këtu investohet shumë te talentet dhe akademitë. Është një shkollë më vete, por dhe një burim për të gjitha kampionatet më të forta dhe elitare të Europës.

– U vlerësua në Belgjikë fakti që shkove me statusin e kampionit?

Po, e vërtetë që u largova me statusin e kampionit. Këtu u vlerësua shumë kjo gjë. Jam në një skuadër që ka pretendime dhe ndihem mirë, pasi jam dhe afër dhe me banesën time.

– E ndiqni Superioren tani që jeni larguar?

E ndjek çdo javë Superioren, thuajse të gjitha ndeshjet. Jo vetëm ndeshjet, por dhe analizat e të gjitha komentet pas ndeshjeve. Jam i informuar për çdo gjë që ndodh në Shqipëri.

– Luhet Flamurtari-Kukësi nesër, si e shihni këtë përballje duke pasur parasysh që i keni përfaqësuar të dyja këto skuadra?

Është një ndeshje shumë e fortë, vitrinë për kampionatin shqiptar. Janë dy ekipe të organizuara dhe të formuara për të qenë pretendente. Kukësi u bë traditë prej shumë vite pretendon dhe nuk e ka lënë veten pas. Ja ka bërë gjithnjë hyzmetin ekipit. Gjithnjë ka ndërhyrë në merkato dhe ka marrë lojtarë cilësor dhe ja ka dalë që të bëjë mirë. Flamurtari çdo vit po shpenzon dhe kërkon rikthimin në identitet. Këtë vit ka ekip të kompletuar, pavarësisht se në javët e fundit nuk ka ecur mirë. Si vit është pozitiv dhe shpresoj që të kapë Europën.

– Kë shihni më të avantazhuar në këtë përballje? Ju personalisht kë do mbështesnit në këtë sfidë?

Më të avantazhuar shoh Kukësin, duke parë ndeshjet e fundit, por dëshirë kisha që këtë trepikësh ta merrte Flamurtari, pasi Kukësi me 90% e ka siguruar Europën. Flamurtarit do i duhej një fitore në rrugën e saj për Europë.

– Cilat kanë qenë momentet më të veçanta me këto dy skuadra? Momente të veçanta ka pasur si me Kukësin ashtu dhe me Flamurtarin. Kur isha në Vlorë u programuam për të qenë një ekip që pretendon për vendet e para, por patëm probleme rrugës, derisa arritëm të rrezikonim dhe qëndrimin në Superiore. Moment i veçantë ishte kur arritëm qëndrimin, me momente të bukura dhe me pengje, pasi ekipi u shkri disa herë. Vlora nuk e meritonte që të binte dhe luftuam me mish e me shpirt që të mos binim. Ishte moment i veçantë. Me Kukësin do veçoj titullin kampion. Kukësi u shpall për të parën herë, ndërsa unë për të dytën herë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *