Pas Teutës, Lenën e kërkon dhe… Shkëndija e Tetovës

0

Kuqezinjtë kërkojnë të bëjnë “pazar” në Kukës, ku pas Izair Eminit synimi është mesfushori Nijas Lena. Problem mbetet çështja e dokumentacionit

Jurgen Zela

Nijas Lena ka zhvilluar një sezon të mirë me Kukësin, duke e konkretizuar dhe me fitimin e titullit kampion. “Jam i kënaqur dhe mund të them se ishte ndeshja më e mirë në karrierë në Europë”, u shpreh pas ndeshjes me Sherifin e Tiraspolit 31-vjeçari. Pas ndeshjes me moldavët, mesfushori deklaroi se do të rikthehet në Maqedoni për të kaluar disa ditë pushim me familjen dhe më pas do të negocionte për një kontratë të re me Kukësin, duke e bërë të qartë se verilindorët ishin zgjedhja e tij e parë. Megjithatë, ai do të shqyrtonte dhe ofertat që mund të shkonin në adresë të tij. Jo gjithçka shkoi sipas planit, pasi Kukësi depozitoi në FSHF kontratën e re të lojtarit, duke pretenduar se ka dhe një vit kontratë me ta. Diçka e tillë nuk i pëlqeu Lenës, i cili u paraqit për të diskutuar rreth të ardhmes së tij, por përveç se nuk gjeti presidentin Gjici, mori me vete dhe një gjobë të majme, për mosparaqitje në seancën stërvitore. Menjëherë pas “dështimit” të negociatave, Teuta i bëri një ofertë zyrtare mesfushorit. Vetëm 24 orë më vonë “Sport Ekspres” mëson se Lena ka marrë një ofertë zyrtare nga kuqezinjtë e Shkëndijës. Tetovarët, që do të përballen me Milanin vetëm pas pak ditësh në turin “play-off” të Europa League, kërkojnë shërbimet e mesfushorit strugan. Normalisht oferta financiare është e kënaqshme, megjithatë si fillim duhet të saktësohet situata me Kukësin, që pretendon me forcë se Lena është ende nën kontratë. Trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani, i ka evidentuar të dy shqiptarët e Maqedonisë që u aktivizuan me Kukësin dhe kërkon që në sezonin e ardhshëm t’i ketë në dispozicion. Një transferim i 31-vjeçarit në radhët e Shkëndijës do të ishte një hap i mirë, pasi në Shqipëri arriti që pas 8 sezonesh të rrëmbente dhe titullin kampion, që aq shumë e kishte dëshiruar. Gjithçka mbetet për t’u vendosur në ditët në vijim, megjithatë situata me Kukësin mund të bëhet problem, ashtu si me Koliçin dhe Eminin.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here