Pas Sarrit, Çelsi prezanton edhe mesfushorin e Napolit

Ashtu si pritej, zyrtarizimi i Mauricio Sarrit në stolin e Çelsit i ka hapur rrugën merkatos se klubit anglez, që pak orë pas trajnerit italian ka prezantuar mesfushorin Zhorzhinjo.

Braziliani, i cili luan për kombëtaren italiane, ka ndjekur trajnerin që kishte te Napoli, duke u bërë blerja e parë verore e Çelsit, për 57 milionë sterlina.

Mesfushori qendror ka firmosur kontratë 5-vjeçare dhe do të mbajë numrin 5.

Në prezantimin e tij 26-vjeçari tha: “Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e Çelsit. Nuk është e lehtë të jesh në një skuadër kaq të madhe, ndaj jam i entuziazmuar. Pres me emocion të luaj në një kampionat kaq të fortë, për një ekip që jep gjithçka për të luajtur dhe fituar”.

Drejtoresha e klubit, Marina Granovskaia, shtoi: “Jemi të kënaqur që Zhorzhinjo zgjodhi Çelsin. Ai është ndër mesfushorët më të kërkuar në Europë dhe do të bëhet pjesë e rëndësishme e skuadrës sonë”.

Zhorzhinjo ishte lojtar kyç në formacionin e Napolit, organizator para mbrojtjes, me teknikë të admirueshme dhe me aftësi të shkëlqyera në diktatin e ritmit të lojës, me pasime të shpejta dhe lëvizje të shkëlqyera, duke qenë shumë aktiv si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese. Në 5 ligat më të mëdha në Europë asnjë lojtar nuk e preku topin sa Zhorzhinjo, në raportin prekje për minutë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *