Pas mesfushorit brazilian, Kukësi pret edhe portier të ri

Kthimi i Enea Koliçit nuk mjafton për Kukësin, që me sa duket kërkon të punojë që tani për të ardhmen, duke e ditur se Koliçi ka firmosur për një vit.

Kështu, drejtuesit e Kukësit pritet të firmosin edhe me një portier shqiptar nga Maqedonia, Enes Azizi.

Ai është 23 vjeç, ka luajtur me Shkëndijën e Tetovës në periudhën 2014-2016, pa gjetur shumë hapësira edhe për shkak të moshës së re, ndaj iku në Zvicër, duke luajtur në kategoritë e ulta. Me një të kaluar te të rinjtë e PSG-së, por edhe në Itali te Rexhiana e Rexhina, Azizi tashmë tenton të bindë Mlladen Milinkoviçin se e meriton të bëhet pjesë e Kukësit.

Supersport raporton se Azizi ka qenë në bisedime edhe me Vllazninë, por nuk u arrit marrëveshje.

Nëse Azizi firmos, bëhet lëvizja surprizë e radhës, sepse ditët e fundit klubi kampion ka vepruar në fshehtësi, duke mbyllur edhe një operacion tjetër. Braziliani Luis Henrike Gregati, mesfushor me tipare mbrojtëse, pritet të bëhet pjesë e verilindorëve, pasi është pëlqyer nga videot që ka parë klubi, edhe pse në CV nuk ka ndonjë emër të rëndësishëm. Ai ka luajtur me ekipe të dorës së dytë në Brazil siç janë Araksa, apo Kaskavel-PR. Mesfushori ka provuar edhe një aventurë me ekipin e dytë të Dinamo Dresdenit në Gjermani dhe me ekipin portugez të Vila Flor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *