Pas Hysajt edhe Ndoj, një verë e nxehtë për shkak të agjentit

Breshia do të garojë në Serie A sezonin e ardhshëm, ndërkohë që ka një çështje. Presidenti Çelino thuhet se ka thirrur sulmuesin Donaruma, Martelan dhe mesfushorin e kombëtares shqiptare, Emanuele Ndoj, dhe u ka kërkuar të ndryshojnë menaxher ose të ikin nga skuadra.

Gjithçka tregohet nga Mario Xhufredi, i cili përfaqëson futbollistët. “Jam i lumtur që Breshia u kthye në Serie A pas tetë vitesh. Një kontribut mendoj se e kam dhënë edhe unë, por diçka shumë serioze ka ndodhur. Çelino ka thirrur lojtarët e mi dhe u ka thënë: ‘ose ndryshoni menaxher, ose ikni’.

Lojtarët e mi i janë përgjigjur duke i thënë se kanë besim tek unë. Nëse ai do të krijojë situata të tilla, atëherë Donaruma, Martel dhe Ndoj do të largohen. Kjo situatë nuk dëshirohet nga askush. Në janar patëm oferta për Donarumën, por i refuzuam. Na vjen keq që Çelino ka krijuar një situatë të vështirë.

Djemtë preferojnë të mos qëndrojnë te Breshia, duke pasur parasysh klimën e krijuar nga presidenti. Kurrë nuk do kishim dashur të krijonim një klimë të tillë. Do donim të vazhdonim, por ajo që ndodhi është shumë serioze. Asnjë president nuk duhet t’i thotë një lojtari që ose ndryshe menaxherin, ose ik nga skuadra. Nuk mund ta shpjegoj.

Unë gjithashtu kam hequr dorë nga një pjesë e komisionit, prej 25 mijë eurosh, për të bërë një gjest ndaj presidentit. Donaruma, Ndoj dhe Martela, duke pasur parasysh klimën e krijuar nga Çelino, e kuptonin se do të bëhej një klimë lufte. Ne menaxherët konsiderohemi shpesh si armiq të klubeve, por dua t;i kujtoj presidentit Çelino, se kur më thirri për Donarumën, e ndihmova ta merrte në ekip edhe pse kishte disa gjëra që nuk më pëlqenin.

Menaxherët dinë të jenë serioze, por edhe përshtaten me ata të cilët flasin. Çdo lojtar është i lirë të zgjedhë agjentin e vet. Megjithatë, pavarësisht sjelljes së Çelinos, për të mirën e Breshias dhe klientëve të mi, unë jam gjithmonë i gatshëm të flas. Nëse presidenti vazhdon me këtë qëndrim, atëherë do të largohemi”, është shprehur Xhufredi për “TMW”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *