Pas Belicës, Partizani pritet ta mbyllë me një mbrojtës nga kampionati kroat

Partizani ka zyrtarizuar afrimin e tretë në merkaton e janarit. Bruno Telushi ishte i pari që u prezantua nga të kuqtë, ndërsa i dyti ishte Esat Mala, ndërsa i treti është Egzon Belica.

Mbrojtësi kishte kohë që zhvillonte stërvitje me ekipin e “demave”, madje ishte pjesë e tyre edhe në fazën përgatitore në Turqi, por nënshkrimi në kontratë u bë dje. Ditën e djeshme të kuqtë kanë mbyllur marrëveshjen me një mbrojtës që luan në kampionatin kroat, Renato Gojkoviç. Ai pritet të bëjë analizat sot dhe të prezantohet nga klubi i kuq. Drejtuesit e kanë mbyllur dje marrëveshjen me lojtarin në fjalë.

BELICA – 27-vjeçari u prezantua dje ditën e djeshme nga skuadra e Partizanit. Mbrojtësi u afrua te “demat” pas propozimit nga trajneri Artim Shaqiri. Ai do të duelojë për një vend formacioni me Atandën dhe Ibrahimin. Shanset janë që 27-vjeçari të preferohet si titullar, por mungesa e tij me ndeshjet ka bërë që futbollisti të shihet si bast. Të kuqtë, nisur nga kjo, i ofruan një kontratë vetëm për 1 vit e gjysmë.

Belica bëri dhe fotot zyrtare nga selia e klubit dhe u bë futbollisti më i ri i 15 herë kampionëve të vendit. Partizani e zyrtarizoi në faqen e klubit me anë të një postimi të shkurtër. “Klubi njofton arritjen e marrëveshjes me Egzon Belicën. Mbrojtësi 27-të vjeçar, i cili ishte pjesë e skuadrës përgjatë fazës përgatitore në Antalia, ka nënshkruar sot me 15-të herë kampionët e vendit një kontratë për 1 vit e gjysmë. Pas firmës së hedhur në kontratë, Belica ka kryer edhe prezantimin në ambientet e klubit. #MirsevjenNëFamiljen EKuqeEgzon”,- përfundon shkrimi i klubit.

MBROJTËSI – Partizani ka arritur marrëveshjen me një mbrojtës nga Kroacia. Emri i futbollistit është Renato Gojkoviç, qendërmbrojtës i Istras në Kroaci. Futbollisti do të mbërrijë në Tiranë dhe do t’u nënshtrohet testeve mjekësore. Boshnjaku pas kalimit të tyre do të mund të prezantohet. Arritja e marrëveshjes ka qenë e vështirë, pasi futbollisti ka pasur pretendime të larta financiare. Pas gjetjes së gjuhës së përbashkët, palët kanë rënë dakord që futbollisti të afrohet në Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *