Partizani vazhdon pa trajner, rikthehet në skenë italiani Kolela

Stoli është bosh pas largimit të Starovës. Xhovani Kolela, një kandidat potencial. Ka drejtuar Renaten, Komon dhe Sienën në Itali

Emri i trajnerit mbetet edhe dilema më e madhe te të kuqtë për momentin. Largimi i Sulejman Starovës nga drejtimi i ekipit ka lënë vendin vakant në skuadrën e “demave”. Drejtori i Përgjithshëm, Luçiano Moxhi, ka detyrën e vështirë për të përzgjedhur numrin një të stolit. Ai po vëzhgon dhe po sheh tregun italian, pasi dëshira e tij është që trajneri i ri të jetë nga vendi i tij. Në kuadër të kësaj dëshire, atij i është propozuar sërish emri i trajnerit Xhovani Kolela. 50-vjeçari është rikthyer përsëri në vëmendje dhe ka një CV relativisht të pasur në Itali, për momentin është pa punë. Fakti që është italian dhe mund të merret vesh mirë me Moxhin mund ta ndihmojë në marrjen e detyrës së re. Megjithatë, Kolela i është propozuar fillimisht presidentit Gaz Demi për ta diskutuar tashmë si një alternativë më serioze edhe nga italiani Moxhi. Mundësitë që të afrohet në pankinën e kuqe nuk janë të vogla, pasi disa kushte që kërkohet nga tekniku i ri i të kuqve.

PROPOZIMI – Të kuqtë janë në vorbullën e pushimeve dhe tymnajën e merkatos. Shumë pikëpyetjet që nuk po gjejnë zgjidhje nga skuadra e të kuqve, të paktën nuk janë zbuluar publikisht nga ana e klubit dhe nuk kanë arritur të zbulohen. Megjithatë, lëvizjet ka dhe sigurisht edhe shumë emra në tavolina. Në klubin e kuq është ripropozuar një trajner për të zënë vendin e lënë bosh nga tekniku Sulejman Starova. Fjala është për italianin Xhovani Kolela. Tekniku 50-vjeçar u është rezervuar në tavolinë të kuqve për të dytën herë. Drejtuesit e Partizanit, presidenti Demi dhe Drejtori Moxhi, po studiojnë alternativën dhe do të vendosin për Kolelën.

Rikthimi i alternativës së Kolelës – Trajneri ishte edhe para dy javësh në pjacën e “demave”, por në atë kohë e gjithë vëmendja ishte e përqendruar te skuadra dhe kualifikimi në Europa League. Tani që rruga është krejtësisht e hapur përfaqësuesit e Kolelës në Shqipëri po punojnë fort në këtë pistë. Fakti që “demat” janë në vështirësi dhe nuk po lëvizin shumë ka bërë që “pista” Kolela të merret më seriozisht. Mbetet të shihet nëse gjithçka do të shkojë në rrugën e duhur.

ASPEKTET POZITIVE – Ish-trajneri i Sienës ka disa cilësi që pëlqehen nga drejtuesit. Fakti që është italian e përmbush një ndër veçoritë e kërkuara. CV-ja e tij është goxha e pasur dhe nuk mund të anashkalohet, pasi ka drejtuar në Seria C. Kolela ka skemën e tij të preferuar 3-5-2. Një stil loje që anon më shumë në aspektin ofensiv. Kjo mund t’i pëlqejë presidentit Demi, pasi kërkon që Partizani i tij të jetë ekip që sulmon dhe fiton në përmjet lojës sulmues. A do të jetë e vështirë ta aplikojë në Superligë? Po, pasi duhet të ndryshojë krejtësisht mendësinë e lojës të të kuqve. Kolela mund të ishte një goditje e mirë edhe për Superligën, pasi për herë të parë do të kishim një ekip që luan me 3-5-2. Në Superligë e kemi parë radhë, mbahet mend Tirana e Gugash Maganit në derbin kundër Partizanit, që e humbi. Starova e ka provuar me “demat” në një rast, por kanë qenë episode sporadike. Asgjë nuk është e sigurt as në rastin e Kolellës, pasi si është vendi bëhet kuvendi edhe nëse zyrtarizohet.

Kolela – Italiani është 50 vjeç. Ai e ka nisur karrierën si trajner nga ekipet e moshave dhe te skuadrat në ligat inferiore të Italisë. Beluno ka qenë eksperienca e parë në Seria D, pastaj ka kaluar te Treviso U-19. Sandona, Moselica, Hellas Verona U-19, Komo U-19 etj. Hapin e madh në futbollin profesionist e ka bërë Komon, fillimisht si zëvendëstrajner për të kaluar si trajneri i parë. Më pas një eksperiencë me Renaten dhe ekipi i fundit që ka qenë në drejtimin e tij është Siena. Kolela është larguar nga drejtimi në dhjetorin e 2016-ës. Italiani nuk ka gjetur më ekip dhe është në kërkim të një eksperience të re.

Skeda e trajnerit
Emri: Xhovani
Mbiemri: Kolela
Datëlindja: 10 gusht 1966
Mosha: 50 vjeç
Vendlindja: Itali
Moduli i preferuar i lojës: 3-5-2

Karriera
Beluno 1999 – 2001
Trevizo U-19 2001 – 2002
Sandona 2003 – 2008
Monseliçe 2008 – 2009
Mecokorona 2009 -2010
Hellas Verona U-10 2010 – 2011
Vingotina 2011-2012
Komo U-19 2012 – 2013
Komo 2013 – 2015
Renate 2015 – 2016
Siena – Gusht 2016 – dhjetor 2016

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *