Partizani u ankua për shtesën në Durrës, por arbitri veproi saktë

Partizani pësoi gol dje në minutën e 96-të nga Teuta, që shënoi me portierin Moçka gjatë një goditjeje nga këndi.

Arbitri Edorjano Hamiti kishte akorduar 4 minuta shtesë, ndërsa goli u shënua në minutën 95:29.

Nga Partizani pati ankesa për shtesën e gjatë, ndërkohë që edhe mbrojtësi Gojkoviç postoi në Instagram një mesazh: “Nuk mbaronte ndeshja pa shënuar Teuta”.

Megjithatë, duke riparë me vëmendje shtesën, rezulton që arbitri ka vepruar në mënyrë shumë korrekte.

Së pari, në shtesë Partizani kreu dy zëvendësime: automatikisht shtohen 30 sekonda për çdo ndërrim, në bazë të rregullores.

Në ndërrimin e parë, kur u fut Abdurahimi në vend të Malës, pati një ndalesë prej 50 sekondash, pra thuajse një minutë pa futboll.

Në minutën 93:13 arbitri ndali ndeshjen për të dhënë dy kartonë të verdhë, nga një për secilën skuadër, ndërsa mesfushori i Partizanit Batha mbeti i shtrirë në tokë për dëmtim. Kur rinisi loja, kronometri shënonte 93:55, pra rreth 40 sekonda pa futboll.

Në minutën 94:30 Teuta fitoi një faull në mesfushën e Partizanit dhe sërish ndalesë, pasi Ramadani u fut në vend të Bardhit, me ndeshjen që rinisi në minutën 95:00. Ajo goditje dënimi prodhoi goditjen nga këndi që solli barazimin e Moçkës.

Me llogari të thjeshta: në shtesë të paktën 2 minuta nuk u luajt futboll, për shkak të ndërrimeve dhe një dëmtimi, ndërsa goli u shënua një minutë e gjysmë matanë shtesës, çka tregon se arbitri Hamiti veproi shumë drejt, përtej dëshpërimit të Partizanit, që nuk arriti dot ta ruante avantazhin deri në fund.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *