Partizani, Skënderbeu dhe “Hamzai”, ja si helmohet futbolli shqiptar

Një ndër sfidat më të nxehta të dekadës së fundit, ajo mes Partizanit e Skënderbeut, do të luhet të hënën në “Selman Stërmasi”.

Skënderbeu mbetet në majë, si zakonisht këtë dekadë, ndërsa Partizani ka humbur edhe shpresën që kishte për një titull në tavolinë, sepse CAS rrëzoi vendimin qesharak të FSHF-së, që vendosi t’i hiqte një titull (kë t’i kapte dora) Skënderbeut dhe si rastësisht kapi atë sezon ku Partizani doli i dyti.

Rivaliteti mes dy klubeve është i madh, sepse Skënderbeu akuzon Partizanin si iniciues të “furtunës” nga UEFA mbi klubin korçar, ndërsa sfida e së hënës është mbushur me helm edhe për faj të ngacmimeve në rrjetet sociale.

Nëse “Ultras Guerrils” kanë të drejtën e vet që të provokojnë dhe ironizojnë me Skënderbeun, ashtu si u takon “Ujqërve të Dëborës” që të përgjigjen me parulla apo postime në rrjetet sociale, klubi Partizani e ka tepruar, duke u futur në një territor të rrezikshëm.

Një postim ku ndahet statusi i Guerrilsave: “Partizani – Hamzai, të hënën”, duket një provokim i rëndë, që nuk i lejohet një klubi serioz dhe me histori të madhe.

Përgjigja e Skënderbeut nuk ka vonuar: “Hamzain nuk e sollëm ne, atë e gjetëm mes jush”.

Deri të hënën me siguri sfida do të ndizet edhe më shumë, por në fund ndonjë drejtues klubi do të bëjë sikur i vjen keq për dhunën, për stolat e shkatërruar, për ndërhyrjen e policisë, për shkopinjtë e gomës e gjithçka tjetër. Do ishte mirë, për të dy klubet, por sidomos për Partizanin, që të mendojë për futboll dhe të qëndrojë larg këtyre provokimeve. Nëse kjo është një mënyrë për të përkëdhelur tifozët, duhet ta bëjë në mënyra të tjera, duke i mbrojtur nga policia, për shembull…

One thought on “Partizani, Skënderbeu dhe “Hamzai”, ja si helmohet futbolli shqiptar

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *