Partizani sheh nga Teuta, kapiteni në shënjestër

Kapiteni i Teutës mund të afrohet në rast se Asani shitet jashtë vendit. Ai ka eksperiencë dhe njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar

Vera do të jetë shumë e nxehtë për ekipin e Partizanit. Drejtuesit e kuq duhet që të zgjidhin fillimisht çështjen e trajnerit, më pas të mendojnë dhe për merkaton. Në “pole position” është tekniku kroat, Mario Tokiç, por mbetet për t’u parë nëse do të zyrtarizohet. Para se ky i fundit të nisë punën në klubin e kuq kanë menduar dhe për emrat që do të afrojnë në merkaton e verës. Ata kanë vendosur disa piketa për futbollistët që pëlqejnë, emri i fundit që ka dalë në listë është ai i kapitenit të Teutës, Arbër Çyrbja.

Mesfushori me tipare sulmuese ka zhvilluar një sezon të mirë me ekipin durrsak dhe performancat e tij kanë ardhur nga viti në vit në rritje. Kjo ka rënë në sy të shumë klubeve, por dhe të Partizanit, pasi “demat” e kanë ndjekur lojtarin prej disa merkatos. Drejtori Rama shprehu pëlqimin për të dhe në një nga dalje e tij publike. Mesfushori 24-vjeçar ndihet mirë në Durrës, por po mendon të bëjë hapin e madh në karrierën e tij. Partizani është një sfidë që e josh.

MUNDËSIA – Afrimi i lojtarit te të kuqtë kalon në disa pika. Në krahun e djathtë, “demat” kanë Jasir Asanin. Ky i fundit ka bërë mjaft mirë dhe forma e tij ka ardhur në rritje. Futbollisti ka marrë më shumë sy në këtë fund sezoni dhe ka patur dhe interesim jashtë vendit. Nuk përjashtohet mundësia që shqiptaro-maqedonasi të marrë ndonjë ofertë tundues edhe të largohet. Drejtuesit e klubit nuk duan të zihen “gafil” dhe kanë menduar dhe futbollistin që mund ta zëvendësojë.

Bëhet fjalë për kapitenin e Teutës. Ky i fundit ka shumë eksperiencë, pasi ka vite që luan në Superiore. Shijakasi po luan sezonin e tij të tretë me Teutën dhe mund të largohet në fund të sezonit. Gjithçka mund të bëhet me kompromis dhe me klubin e Teutës, pasi marrëdhëniet e mira ndërmjet presidentit Gaz Demi dhe presidentit Edmond Hasanbelliu mund të ndikojnë dhe në këtë transferim. Të shohim dhe të presim, pasi merkatoja sjellë të papritura të forta dhe kjo mund të jetë një prej tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *