Partizani, sa shumë milionë në tribunë!

0

“Demat” kanë luksin të dërgojnë 586 mijë euro në tribunë, pa llogaritur Uarlejn. Të afruarit e verës nuk po integrohen në skuadër

Merkatoja e Partizanit ishte më e fuqishmja. Të paktën kështu na u shit. Lojtarë të afruar nga të katër anët, kryesisht nga futbolli italian. Do të rritet konkurrenca në skuadër dhe do të kemi më shumë alternativa. Ama, diçka të tillë nuk po e shohim në ndeshjet e të kuqve dhe në formacionin e trajnerit Mark Juliano. Nëse të gjitha ndeshjet do të ishin fituar të gjithë do të ishin në këmbë duke duartrokitur trajnerin Mark Juliano, por diçka e tillë nuk ka ndodhur dhe tashmë të gjithë “jemi në garë” se kush të gjejë më shumë elemente negativë.

Të fundit që do të marrim në analizë është tribuna e “demave”. Partizani lë në tribunë një pjesë të madhe të lojtarëve që ka afruar për të dobishëm. Emri i parë që çudit jo pak është sulmuesi Milan Basrak, ai nuk preferohet nga trajnerin Juliano, ndërkohë që e shet qëndrimin në tribunë si një dëmtim. Listës i shtohen edhe Selvaxhio, Shahinasi, Sulejmani, Uarlej dhe Herrera, apo edhe Fili që ishte te Partizani. Panamezi erdhi me pritshmëri të mëdha, luajti pak minuta dhe jashtë formacioni.

Braziliani Uarlej u prit me ovacione, po ashtu si Sulejmani, por përsëri nuk preferohen nga tekniku Juliano. T’i pyesësh të gjithë do të shprehen se janë të gatshëm për të luajtur dhe mbeten jashtë vetëm për shkak të mospreferencave të trajnerit Juliano.

LUKSI – Partizani ka luksin të dërgojë në tribunë 586 mijë euro. Pa llogaritur brazilianin Uarlej që nuk ka asnjë shifër në “transfermarket”. Shifrat e kartonit për lojtarët që janë në tribunë në total shkojnë në 586 mijë euro. Selvaxhio vlen 90 mijë euro, Shahinasi 68 mijë euro, Fili 180 mijë euro, Sulejmani 45 mijë euro, Herrera 135 mijë euro dhe Basrak 68 mijë euro.  

ASANI – Një tjetër emër që do t’i bashkohet të kuqve është Jasir Asani. Një tjetër alternativë më shumë për teknikun Juliano. Mbase do të jetë i vlefshëm, mbase do të përfundojë në pankinë. Vlera e kartonit të tij në treg është 180 mijë euro. Të shohim se si do t’i marrë karriera me të kuqtë.

SHPENZIMI – Për të përballuar një kampionat të gjatë e të vështirë duhet një stol cilësor, thonë zakonisht trajnerët kur u kërkohet një recetë se si mund të “gatuhet” një sezon suksesi. Problemi është se te Partizani shumë lojtarë po qëndrojnë në tribunë, që do të thotë se stoli është super, por edhe tribuna është e tillë, të paktën duke parë koston e lojtarëve. Mesatarisht të gjithë marrin 2000 euro e lart në muaj: 5 lojtarë në tribunë kushtojnë rreth 10.000 euro (pa taksat), 120.000 euro në vit! Pak si shumë, për të përballuar vetëm kampionat e kupë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here