Partizani rregullon shënjestrën, Juliano: Kështu luajtëm edhe ndaj Laçit

0

NAFTETARI – PARTIZANI 2-6
Shënues: Nallbati 12′, Xh.Kajo 83′ / Xhixhiua 19′, 80′, Malota 44′ Çani 61′, Herrera 64′, Batha 89′
Naftëtari: Koçi, K.Pepa, E.Kajo, Xh.Kajo, Hyseni, Behari, Cake, Nallbati, Llojku (A.Pepa 77′), Koroveshi (Gjyla 66′), Allkanjari (Gorovelli 54′)
Trajner: B. Fraholli.
Partizani: Xhika, Ibrahimi, Krasniqi, Fejzullahu (Malota 17′), Kalari, Batha, La Kamera (Shahinas 70′), Adorjan (Çani 57′), Xhixhiua, Bardhi, Herrera.
Trajner: M. Iuliano.
Gjyqtarë: K. Shahini, F. Lame, A. Vila
Delegat: A.Kaja
Vëzhgues: A.Lulaj
Kartonë të verdhë: Xh.Kajo 49′ / Xhixhua 79′

Edi Spahiu

Partizani triumfon në Kuçovë me një fitore tenistike 6-2. Përballë kuçovareve, që sapo janë kthyer në Kategorinë e Parë, skuadra e kuqe tregoi superioritetin e saj,ku pas humbjes me Laçin jep sinjale pozitive për të ardhmen. Të kuqtë e filluan me theks sulmues ndeshjen, ku në minutën e dhjetë Kalari godet traversën, por pas dy minutave miqtë befasohen, pasi Allkanjari pason te Nallbati që përballë Xhikës shënon, duke entuziazmuar të pranishmit e shumtë. U duk se kjo ndeshje për Partizanin do ishte vazhdimi i asaj me Laçin, por skuadra e kuqe ka reaguar fuqishëm. Pas 7 minutave Partizani barazon, ku Bardhi vepron bukur ne zonë dhe pason për Xhixhiua i cili shënon. Të kuqtë çlirohen plotësisht dhe krijojnë raste të shumta. Xhixhiua shfaqet shumë i rrezikshëm në krahun e djathtë dhe është problematik për mbrojtjen e Naftëtarit. Rastet e Partizanit janë të shumta, por portieri Lorenc Koçi mohon gola të sigurt. Naftëtari mundohet të godasë me kundërsulm dhe në minutën e 39-të Allkanjari shmang pothuaj të gjithë mbrojtjen e Partizanit, por shokët e skuadrës nuk e ndjekin aksionin. Një minutë para fundit të pjesës së parë Malota shënon golin e dytë, pas një goditjeje këndi dhe aty mbaron rezistenca vendase.
DEBUTON ÇANI – Pjesa e dytë është më e hapur dhe Partizani tregohet plotësisht si një ekip elite.R itmi është i lartë për të kuqtë, ndërsa vendasit e kanë tepër të vështirë për të përballuar presionin, edhe për faktin se fizikisht nuk janë ende në formën e duhur. Tekniku Julano hedh në fushë përforcimin më të shtrenjtë, Edgar Çanin, i cili debuton me gol. La Kamera shërben bukur nga goditja e këndit për Çanin, i cili pas një gjuajtjeje fluturimthi brenda zonës shënon golin e tretë të takimit. Futja e Çanit i jep më shumë gjallëri sulmit, ku do të ketë dhe gola të tjerë. Pas 3 minutash shënon Herrera, pas një pasimi të Çanit. Edhe minutat e fundit janë të shpejta, ku Partizani duket i pangopur. Xhixhiua shënon golin e dytë personal dhe të pestin për ekipin. Kuçovarët shkurtojnë distancën pas një goditjeje të bukur të Xhafer Kajos nga një distancë e largët. Një minutë para përfundimit Idriz Batha nga pika e bardhë (penallti e fituar nga Çani) kompleton fitoren e të kuqve,të cilët e shikojnë veten që në ndeshjen e parë të kualifikuar për në raundin tjetër. Ndërkaq, kuçovarët dhanë rezultate pozitive pavarësisht humbjes, ku në disa momente ata u përballën si të barabartë me Partizanin.

 

Juliano: Ndeshje e ngjashme me Laçin, por këtë radhë shënuam
Mark Juliano më në fund ka gjetur golat që priste dhe nuk e fsheh kënaqësinë, edhe pse natyrisht Naftëtari nuk është ndonjë test serioz në këtë moment. Trajneri italian e krahasoi ndeshjen kundër Naftëtarit me atë kundër Laçit, duke veçuar pikërisht sulmin: “Sot jam i kënaqur me skuadrën. Mund të them se ishte pothuajse e njëjta ndeshje si me Laçin, por sot nuk i shpërdoruam rastet, pavarësisht se luajtëm përballë një ekipi inferior. Ishte një ndeshje që na shërbeu për anën morale. Mund të them që kundërshtari sot na vuri në vështirësi. Naftëtari ishte një skuadër simpatike, e cila luante një futboll të mirë. Që pas këtij momenti ne mendojmë për ndeshjen me Kukësin, ku do të kërkojmë fitoren”. I pyetur edhe për rikthimin e dy titullarëve Krasniqi dhe Batha si dhe mungesën e Hoxhës, që ishte në pankinë, tekniku u tregua diplomat duke thënë: “Mora sinjale pozitive si nga lojtaret në fushën e lojës, ashtu edhe nga ata në stol”.
You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.