Partizani mposht Apoloninë në 11 minuta

0

Vila-Rrahmani, shkurt, qartë dhe pastër. Është kjo sinteza e fitores 2-0 të Partizanit në Fier. Apolonia mund të ketë famën e skuadrës që u prish punë të mëdhenjve por të kuqtë dolën nga fusha e saj fitimtarë e madje e mbyllën praktikën brenda 12 minutash edhe pse lëshuan terren në fund duke vuajtur disi agresivitetin e vendasve.

I vendosurt për të luajtur gjithçka për gjithçka, Mërgjyshi prezantohej për ndeshjen e parë të vitit në shtëpi me treshen e sulmit Rajkovic-Ribaj-Dimo. Në kampin e Duros në majë të sulmit Racic i mbështetur nga Vila, Nexhipi e Mazrekaj, ndërsa binte në sy mes shtyllave Dashamir Xhika në vend të Alban Hoxhës së skualifikuar për shkak kartonash. Premisat e një sfide delikate u shkrinë nga një filllim ëndërrash për Partizanin.

Të kuqtë në avantazh pas 5 minutash, vertikalizim fantastik i Mazrekajt që preu përmes prapavijën fierake dhe intuitë prej ujku goli ajo e Emiljano Vilës me prekjen e vetme që çoi dopin drejt rrjetës. 1-0 dhe disavantazhi tronditi Apoloninë. Nuk mund të rrinte pa përfituar një skuadër cinike si Partizani dhe në minutën e 12 krosim i Nexhipit, Rrahmani i harruar pas kishte hapësirën e nevojshme për të shënuar me kokë. Pa u mbushur çerek ore lojë, skuadra me mbrojtjen më të mirë të kampionatit në avantazh. Natyrisht që diçka e tillë do të kushtëzonte lojën me Partizanin që mund të menaxhonte rezultatin dhe energjitë duke provuar tiki takan e ndonjë kundërzbritje surprizë, por bujaria e të kuqve për të lëshuar terren rriti kurajon e Apolonisë që filloi të impenjonte Xhikën, që gjithsesi u gjend i gatshëm në minutën e 38 kur goditja standart e Dimos e devijuar mori rrezikshmëri të lartë për portën. Episod moviole në minutën e 45 me pretendimin e Apolonisë për 11 metërsh për këtë kontakt mes Andi Ribajt dhe Endri Vrapit por për gjyqtarin kryesor Enea Jorgji gjithçka ishte e rregullt duke i dërguar skuadrat në dhomat e zhveshjes. Mbeti aty për Partizanin Racic me probleme fizike që u zëvendësua në kthim nga Fazlliu.  Me Partizanin e orientuar për të kursyer energjitë duke tentuar vetëm me kundërsulmin e ndonjë goditje standart, Apolonia rriti intensitetin në sulm duke ju afruar disa herë golit që mund të rihapte lojën. Në minutën e 75, Gërxho u prezantua përballë Xhikës dhe me goditjen e tij që kaloi portierin ishte Rrahmani në sprint shpëtimtari të kuqve duke larguar topin në kufijtë e vijës fatale.  Vetëm dy minuta më pas një rast të artë e pati dhe Nako që në goditjen e këndit i vetëm në zonë e çoi topin pikërisht andej nga nuk duhej.  Apolonia nuk e kishte luksin të shpërdoronte kaq para një skuadre si Partizani dhe ata që falënderojnë janë të kuqtë që kthehen në shtëpi me një trepikësh të rëndësishëm që i mban në kuotën e 40 pikëve, po aq sa kampionët e Skënderbeut. / Super Sport

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.