Partizani modest, mos ndoshta kështu është më mirë?

0

Katër ditë përpara rifillimit të Kategorisë Superiore është e udhës të flasim për një Partizan të ri. Mënyra se si klubi i kuq ka menaxhuar organikën në muajin e fundit është një ‘mea culpa’ e pathënë publikisht për projektin e verës.

Në krye të revolucionit është drejtori i klubit Olsi Rama, ndërkohë që fshesa kapi jo vetëm një tufë lojtarësh të propozuar dhe të afruar nga Moxhi, por gjithashtu dhe futbollistë që prej vitesh kishin krijuar atë që në publik njiheshin senati i kuq.

Malota, Krasniqi e Vila u larguan, ndërkohë që me Trashin ka një problematikë të hapur në pritje për t’u zgjidhur. Ai që shpëtoi nga revolucioni është trajneri Starova, ndërkohë që klubi është munduar të bëjë afrime logjike, si nga ana sportive, ashtu dhe nga financiare.

Revolucioni në fakt kishte muaj që paralajmërohej. Me sa duket, cikli i shkuar që zgjati 3-4 vite kishte përfunduar dhe tanimë është moment për të nisur diçka të re. Objektivat e këtij sezoni të mbetur janë më modestë se sa emri dhe pretendimet e Partizanit. Një sy nga kampionati – pse jo për të kapur zonën euro – dhe gjithçkanë kupë, pse jo për të fituar një trofe. Paralelisht, ndërtimi i një organike që ndoshta do rikthehet sezonin e ardhshëm për të synuar gjëra të mëdha. Në skuadër janë afruar Belica në qendër të mbrojtjes dhe Bruno Telushi në mesin e fushës. Numri më i madh i përforcimeve është bërë në sulm. Lukas vjen nga kampionati maqedonas, ndërkohë që Ramadani i Renovës është gjithashtu një armë e shtuar. Goditja më e madhe mendohet të jetë Abdurrahimi, futbollist i Shkëndijës, për të ciliën thuhet se firma është vetëm një formalitetet. Të ardhurit në sulm u shtohen emrave ekzistues si përvoja e Prognit dhe e ardhmja e Bardhit dhe Asanit.

Ky është një Partizan jo aq i bujshëm në financa, por me një moshë mesatare më të re, një skuadër me këmbë në tokë dhe pa emra që më shumë prodhuan publicitet se sa ndeshje, gola dhe pikë. Imazhi i Partizanit në verë ishte Edgar Çani, imazhi i Partizanit në janar është e ardhmja dhe modestia.

Gjergji Stefa

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.