Partizani, Milani dhe Edi Reja: Igli Tare “flet pa doreza”

0

Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, po lakohet shumë për të ndryshuar klub dhe për të kaluar te Milani. Vlonjati nuk ka shumë dëshirë të flasë për zërat e merkatos në lidhje me të, por nuk i mbyll dot derën kuqezinjve. Tare flet edhe për Edi Rejën, që e cilëson trajnerin e duhur për Shqipërinë. Panuçi dhe Superiorja në fokus, konkretisht Partizani kampion.

ZËRAT PËR MILANIN – “Kjo është pjesë e profesionit tonë, duhet ruajtur një ekuilibër. Janë gjera pozitive deri në një aspekt të dytë. Duhet të dish t’i menaxhosh mirë. Ajo çfarë është kryesorja është se unë jam në një klub të madh dhe në një ambient shumë familjar, e rëndësishme për të patur rezultate pozitive. Përsa i përket të nesërmes nuk mund ta parashikoj, sepse unë e quaj Lazion, një klub shumë të madh. Por duke qenë se jam një profesionist, gjithçka mund të ndodhë në botën tonë.”.

TRAJNERI I KOMBËTARES – “Besoj se është njeriu i duhur, në vendin e duhur dhe në momentin e duhur. Zgjedhja që ka bërë kombëtarja shqiptare besoj se është e duhura. Por çdo gjë është e lidhur me rezultatet, duhet të jenë ato që duhet të japin edhe atij mbështetjen për ta konfirmuar atë çfarë unë thashë. Eksperienca e tij do të jetë ndoshta e çelësi i suksesit për dy vitet e ardhshme”.

“Biseda me Rejën? Kam folur gjatë me të dhe i kam shpjeguar skuadrën, ose i kam dhënë mendimet e mia për individët e kësaj skuadre dhe për perspektivën që ka kjo kombëtare. Jam i bindur se eksperienca e madhe që ai ka do të bëjë diferencën”.

MOSHA E REJËS – “Ka pasur trajnerë në botë që në moshë edhe më të madhe se Reja kanë pasur sukses shumë të madh. Mosha është thjesht një numër, unë e njoh shumë mirë. Ai është një 73-vjeçar që bën jetën e një 40-vjeçari, kështu që ka shumë energji. Është një njeri që i pëlqejnë sfidat, por mbi të gjitha ka një eksperiencë që mund ta ndihmojë këtë skuadër”.

“Zgjedhja për të firmosur një kontratë disa mujorëshe i jep një avantazh FSHF-së që të mos jetë e lidhur financiarisht me një trajner, e nga ana tjetër i jep mundësinë që të studiojë metodologjinë e Rejas në këto 6 ndeshje që ai ka si provë. Nëse do ketë një përmirësim të rezultatit nga fillimi deri në fund të kësaj kontrate, besoj se janë edhe bazat për të bërë diçka edhe për një periudhë 2-vjeçare tjetër”.

EPOKA PANUÇI – “Nuk mund të quhet një trajner i ri, apo i vjetër. Ajo që është më e rëndësishme është se çfarë fryme sjell një trajner në një skuadër. Ndoshta fryma që solli Panuçi në kombëtare nuk ishte ajo e duhura për të ndezur atë shkëndijë të duhur pas një Evropiani të suksesshëm. Fakti që trashëgoi një skuadër pas një suksesi historik dhe tranzicioni nga një skuadër në një tjetër duhet të ishte i shoqëruar edhe nëpërmjet disa rezultateve pozitive”.

“Ai nuk i pati dhe kjo e bën akoma edhe më tragjike qëndrimin e tij në kombëtaren shqiptare. Besoj se zgjedhja e bërë për ta larguar nga skuadra ishte e duhura dhe duhet t’i jepet kohë skuadrës për të gjetur ato ekuilibra të duhur. Besoj se ato kualitete që janë, janë të mjaftueshme për një skuadër, për të luftuar të paktën për vendin e dytë ose të tretë”.

SUPERIORJA – “Fitimi i kampionatit nga Partizani është një gjë shumë e mirë për futbollin, sepse është skuadra më e dashur në Shqipëri. Jam rritur në atë klub, ky fakt me ka gëzuar edhe mua shumë. Gega ka qenë edhe një ish-kolegu im në skuadër. Puna e bërë prej tij ka qenë me të vërtetë për t’u admiruar. Por, mbi të gjitha diferencën e ka bërë mirë-organizimi i strukturës së klubit, me figurat e duhura, sepse Olsi Rama është një drejtor i ri, ka një karakter që është shumë i domosdoshëm për futbollin shqiptar, sepse është njeri i qetë. Ne jemi një vend i vogël, por që kemi shumë talente dhe e vetmja gjë që ka munguar këto vite ka qenë mundësia për të dhënë një vazhdimësi. Deri tani kanë qenë individë, por tani duhet një formë konkrete”, është shprehur Tare në intervistën e dhënë për Top Channel.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.