“Partizani më hodhi në rrugë, do pendohet që më la të lirë”

“Jam në kulmin e karrierës, të kuqtë do pendohet që më lanë të lirë”

0

Glen Domi

Erzeni afroi në janar një sulmues mjaft cilësor, i cili një vit më parë erdhi në vendin tonë për llogari të skuadrës së njohur të Partizanit. Mustafa Enok Xhixhiua, sulmuesi kamerunas që luajti pak me të kuqtë në Superiore, por në Shijak “shpërtheu”, e madje shënoi 10 gola shumë të rëndësishëm duke qenë një pikë referimi në sulmin e skuadrës së Erzenit. Kamerunasi bindi me formën e tij dhe me shumë gjasa edhe në sezonin e ardhshëm do të vazhdojë që të luaj me skuadrën Erzenit. Xhixhua, në një rrëfim enkas për “Sport Ekspres”, tashmë që e njeh më mirë vendin tonë, flet për Partizanin dhe vuajtjet e para, një aventurë që sipas tij e zhgënjeu, kjo jo për faj të tij, si dhe rilindjen te Erzeni, ku është kthyer në një lider dhe mjaft të adhuruar nga tifozët vendas.

Luanit futboll në Kamerun, por t’u dha mundësia të luaje në Shqipëri, madje në një ndër klubet me më shumë traditë dhe trofe si Partizani. Si nisi kjo aventurë dhe çfarë ju shtyu të vinit këtu?

Faleminderit që po më jepni mundësinë të flas për ardhjen deri në Shqipëri. Fillimisht dua të falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan për të ardhur në Shqipëri. Ishte një ekip i mirë me mbështetje të madhe, me të cilët kisha një pakt dhe më kanë ndjekur e mbështetur deri sot. Menaxheri im bëri të mundur ardhjen time dhe normalisht edhe cilësitë e mia sepse jam një lojtar me perspektivë.

Tek Partizani nuk patët shumë hapësira, edhe pse vuanin në sulm  nuk të besuan shumë. Pse ?!

Mendoj se me pak fat mund të jepja më tepër. Aq sa kam luajtur dhashë maksimumin për skuadrën e Partizanit. Unë e thash edhe pak më lartë. Jam munduar që të jap më të mirën, jam i ri dhe dua që të tregoj vlerat. Pastaj, është trajneri dhe stafi që vendos se kush luan ose jo.

Pasi ju larguan nga Partizani shkuat te Erzeni. Pse e bëtë një zgjedhje të tillë?!

Atë që nuk ma dha Partizani e gjeta te Erzeni. Më dhanë mundësinë të tregoja se çfarë jam i aftë të bëj. Dua t’i falënderoj shumë dhe u jam mirënjohës të gjithëve në Shijak, pasi tek Erzeni gjeta veten. Më pëlqen shumë qyteti i Shijakut dhe falënderoj të gjithë fansat e Erzenit që më respektojnë. Mirënjohje edhe për drejtuesit që më kanë qëndruar shumë korrekt.

Keni shënuar 10 gola në ndeshjet zyrtare, por e keni treguar veten që në ndeshjet miqësore kur erdhën në provë.

Në fillim, në takimet miqësore isha më i lirë, por me të nisur kampionati pashë se kundërshtari donte të më bllokonte me çdo kusht. E vërtetë që hasa vështirësi pasi më rrinin gjithmonë dy mbrojtës por kjo ishte diçka e bukur pasi shikoja vlerësimin që merrja nga skuadrat e tjera.

Keni jetuar në Tiranë, por që prej janarit jetonit në Shijak. Ku ndihesh më mirë?

Tirana është një qytet i madh, ka shumë njerëz dhe gjallëri dhe normalisht më pëlqen shumë, por edhe në Shijak, pavarësisht se nuk gjen gjallërinë e Tiranës ndihem mirë. Njerëzit këtu më respektojnë shumë dhe ndihem i lumtur për këtë fakt pasi nuk shoh indiferencë apo racizëm ato thjeshtë më duan dhe i dua gjithashtu.

Tani që u mbyll ky sezon dhe 5 muajt e fundit keni pasur një eksperiencë që e quani të bukur me Erzenin. Sezonin e ri do t’iu shohim në Shijak apo diku tjetër?

Sezoni ka përfunduar dhe me Erzenin kam një kontratë. Dhe ne jemi të lumtur që  kemi arritur pritshmëritë. Ishte në dyshim nëse do ja dilja të bëja mirë dhe ja dola. Fansat janë të lumtur, drejtuesit janë të lumtur dhe unë po ashtu. Shpresoj që kjo lumturi të vazhdojë edhe në të ardhmen, por të gjitha opsionet janë të mundura. Çfarëdo që të ndodhë do e kujtoj gjithmonë Shijakun dhe i uroj mbarësi në këtë muaj Ramazani.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.