Partizani-Luftëtari, kush bie “knock out”?

Sfidë delikate për të dy ekipet. Kryeqytetasit kanë nevojë për konfirmim, gjirokastritet me mendje te ultimatumi i Tavos…

Ndeshja ndërmjet Partizanit dhe Luftëtarit, që do të luhet sot, prej orës 17:00, në stadiumin “Selman Stërmasi” ka vlerë të madhe për të dy skuadrat. Kjo sfidë vjen në një moment delikat për kryeqytetasit, por edhe për gjirokastritet. Takimi i javës së 6-të të Superligës i gjen skuadrat shumë të ndryshuara nga sezoni i vjetshëm dhe në pozita të tjera. Sezonin e shkuar Partizani ishte pretendent potencial, Luftëtarit ishte ekipi surprizë që fitoi simpatinë e të gjithëve.

Një edicion më vonë, Partizani ka vetëm 1 fitore në 5 javë dhe atë me gishta të kryqëzuar dhe vështrim nga qielli për të gjetur falënderimin e Zotit, ndërsa Luftëtari ka shkarkuar trajneri, rezultatet, jo aty ku duhen.

Partizani pas fitores me Teutën kërkon të vazhdojë vetëm në këtë rrugë, pasi çdo rezultat tjetër është i papranueshëm, dështim siç e cilësoi edhe Juliano. Gjirokastritët kanë një ultimatum nga presidenti Tavo për të marrë 5 pikë në 3 ndeshje, të gjitha sfida kundër pretendentëve për titull. Largimi i trajnerit Fernandez ka turbulluar ujërat në skuadrën e bluzinjëve, ndërsa tekniku i ri Kurbelo është në ankthin e ultimatumit. “Demat” nga ana e tyre nuk kanë bindur as në miqësore për të mos folur për kampionatit, por të gjithë kanë besimin se faza përgatitore do të japë rezultat në tetor. Jemi në gjysmën e këtij muaji, e nëse nuk i jep “frutat” tani, gonxhet nuk do të çelin më! Pavarësisht se takimi i sotëm nuk të jep garancinë e ndonjë loje të bukur dhe që mund të të mbajë të mbërthyer para ekranit, apo pa fara në stadium, për vetë rëndësinë e tij duhet ndjekur me patjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *