Partizani: Kujtime të hidhura, Kamza shkatërroi projektin italian

Humbja e Partizanit në fazën e parë largoi shpurën italiane. E njëjta gjë mund të përsëritet edhe me trajnerin Starova, nëse nesër Kamza fiton në Tiranë!

Ekipi i Kamzës nuk ngjall emocione shumë të mira te skuadra e Partizanit, pasi ishte kjo skuadër që i dha goditjen përfundimtare projektit italian te klubi i Partizanit. Humbja 1-0 në fazën e parë, në stadiumin e Kamzës, solli edhe largimin e trajnerit Mark Juliano dhe shpurës së tij.
Partizani vinte pas humbjes në shtëpi me Flamurtarin, ndërsa goli i shënuar nga Ersil Ymeraj në minutën e 85-të i dha goditjen përfundimtare trajnerit Mark Juliano. Presidenti Gaz Demi e shkarkoi direkt pas ndeshjes duke i treguar hyrjen e aeroportit. Trajnerin italian nuk kishte “Moxh” që ta mbante në krye të skuadrës, pasi kupa ishte mbushur e derdhur disa herë radhazi. Largimi i tij solli rikthimin e trajnerit Sulejman Starova në krye të “demave”. Humbja me Kamzën ndikoi edhe në ndeshjen e tij të parë në krye të stolit, pasi e ndoqi humbja në fushën e Laçit me rezultatin 1-0. Pas kësaj disfate, Partizani filloi të ngrejë kokën. Kamza ishte skuadra që mbylli një kapitull te të kuqtë, por ironia e fatit mund të bëjë që të jetë ky ekip që të mbyllë sërish një kapitull tjetër te “demat”, atë të Starovës.

STAROVA – Trajneri Sulejman Starova nuk po kalon momente shumë të mira në krye të Partizanit, pasi viti 2018 nisi me dy humbje kundër Flamurtarit. E pranojmë, të vendosura me episode, por në fund vlen rezultati dhe ai flet për vlonjatët. Partizani mund të largohet edhe nga Kupa e Shqipërisë dhe aty gjithçka mund të quhet e katranosur, pasi humbin objektivin kryesor të sezonit. Një humbje tjetër me Kamzën do të sillte ngritjen e flamurit të bardhë dhe shpalljen e objektivit të ri në kampionat: luftën për mbijetesë.
Rezultatet e skuadrës janë skandaloze, por “CV-së” së Starovës i bashkëngjiten edhe problemet që pati trajneri me Trashin dhe Filin. Sherri mes trajnerit dhe lojtarëve nuk është aspak normale. E në fund, si “qershia mbi tortë”, mund të konsiderojmë sjelljen e tij antisportive kundër zyrtarëve të ndeshjes. Rasti i dytë për këtë sezon, herën e parë në Kukës kundër kampionëve që u ndëshkua me dy ndeshje pezullim, ndërsa para pak ditësh kundër Flamurtarit që u dënua me 8 takime.
Me Kukësin fituan dhe sjellja e 62-vjeçarit u cilësua si e duhura, pasi motivoi skuadrën, ndërsa e dyta u dënua. Drejtuesit e klubit duhen të tregohen më të qartë jo “herë mish, e herë peshk”.
Kamza ka në dorë fatet e Starovës, pasi nëse humbet brenda me kamzalinjtë, presidenti Demi nuk duhet t’i tregojë drejtimin e aeroportit, por derën e klubit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *