Partizani, ka replika mes “drejtorëve”

0

Gjergji Stefa

Ish-drejtori sportiv i partizanit, Dritan Dervishi, fajëson drejtuesit në krah të presidentit Demi për dështimin sezonal të Partizanit, në një intervistë publikuar dje në “Sport Ekspres”. Një ndër personat e fajësuar prej tij është edhe drejtori aktual Edmond Haxhia, i cili ka reaguar, duke iu përgjigjur paraardhësit të tij.

Haxhia, një ditë më parë ish-drejtori Dervishi akuzoi stafin teknik të Partizanit për mënyrën si kanë shkuar gjërat këtë sezon në kampin e kuq. Cfarë shije ju la juve personalisht kjo akuzë?

Nuk është hera e parë që ish-drejtori i Partizanit lëshon akuza në media. Shpesh kam menduar që opinionet e tij kanë qenë të ndikuara nga marrëdhënia jo fort e mirë personale që ka pasur me Starovën, por kam përshtypjen që po e ekzagjeron gjithnjë e më shumë. Gjithkush është i lirë të japë opinionet e tij në çdo moment, por ky njeri shfaqet përgjithësisht pas situatave të vështira. E ka bërë këtë me Partizanin, e ka bërë dhe me Kukësin.

Në fokusin e akuzave të tij ka pasur pretendime në lidhje me merkaton, me strategjinë e klubit, me zgjedhjet teknike, një lloj analize që i ka prekur të gjithë?

Për të gjykuar punën e dikujt duhet pikë së pari duhet të jesh i ndërgjegjshëm me punën që ke bërë vetë. Unë nuk mendoj se Dervishi është etaloni i suksesit në klubin e Partizanin në sezonin e shkuar. Ai nuk ka arritur asgjë më shumë se paraardhësit apo pasardhësit në këtë klub, megjithëse mendoj që ka qenë ndoshta drejtori sportive me kompetencat më të plota dhe me lirinë e veprimit më shumë se kushdo tjetër në futbollin shqiptar.

Partizani i sezonit të shkuar e humbi titullin javën e fundit, luajti në Champions dhe shkoi deri në play-offin e Europa Ligës.

I marrim gjërat me radhë. Kur Dervishi erdhi në krye të klubit, ai ishte 15 pikë i shkëputur nga vendi i dytë, që ishte Kukësi, dhe rivalitetin e kish vetëm me Skënderbeun. Kur erdhi Dervishi, Partizani ishte tre pikë më pak se sa Skënderbeu, ndërsa në fund kampionatin e mbyllën me 5 pikë më pak. Nuk ishte konkurrenca e sezonit aktual. Ai premtoi titullin, afroi të paktën 8 lojtarë në atë janar dhe vuri veton për trajnerin Agostineli. I kujtoj mirë deklaratat e tij që e konsideronte dështim nëse nuk fitonte dot trofeun në fund. Mori një rrezik normal për një drejtor sportiv, por nuk është se i përmbushi pritshmëritë që minimalisht i kishte vënë vetes. Partizani nuk luajti në Champions nga puna që bëri stafi në 6 muajt e fundit të sezonit të shkuar, por sepse u dënua Skënderbeu. Në kohën që Partizani luajti në kupat e Europës dhe shkoi deri në play-off në Europa League, Dervishi nuk ka qenë në drejtimin e klubit, madje ishte drejtor sportiv i Kukësit, ku me gjithë respektin për punën që bën, kaluan turin e parë dhe u eliminuan në të dytin. Unë nuk mendoj se shenja e tij në drejtimin e klubit nuk ka qenë kaq e madhe në aspektin sportiv dhe ca më shumë në atë financiar.

Ku e bazoni këtë?

Dervishi dhe koncepti i tij i drejtimit nuk bënë sportivisht asgjë më shumë se paraardhësit, kujtoni që e mori ekipin në vend të dytë dhe e mbylli kampionatin në të njëjtin pozicion. Ndërkohë gjatë periudhës së tij shpenzimet u rritën ndjeshëm ndërkohë që asnjë lojtar nuk u shit. Jam i bindur që ka punuar me korrektesë dhe ndershmëri, madje ka bërë gjithçka ka mundur, por faktet janë kokëfortë. Nuk dua të krahasoj punën time me punën e askujt më parë apo më pas, por me të drejtë bezdisem.

Nuk është se këtë sezon është bërë diçka më shumë se sa sezoni i shkuar?

Në parim të gjykosh punën e tjetrit nuk është e drejtë dhe e ndershme. Asnjëherë nuk kam folur dhe nuk do flas në publik për atë çka bën dikush tjetër. Kam respekt për gjithë njerëzit që punojnë dhe nuk jam unë ai që i gjykoj por rezultatet. Këtë sezon kampionati ka pasur shumë konkurrencë, si për titullin ashtu dhe për rënien nga kategoria, ndërkohë që aventura në kupat e Europës verën e shkuar solli rreth 1 milion euro të ardhura në klub. Kemi pasur disa mundësi për shitjen e lojtarëve në janar, por sidomos presidenti këmbënguli që të mos largonim asnjë lojtar me objektivin për të fituar titullin.

Dhe këtë vit është thënë që nëse nuk fitohet titulli është dështim?

Po vazhdoj ta mendoj një gjë të tillë, por kjo nuk na pengon të themi që kemi bërë maksimumin për t’ia dalë në çfarëdo lloj rrethane.

Ndërkohë, ka akuza dhe për merkaton.

Mbaj përgjegjësi të plotë që Bonifejs ndoshta nuk ishte një blerje e goditur, por në merkato në ndonjë rast dhe mund të gabosh. Sa për të tjerët, besoj se të gjithë jemi dakord që janë me vlera dhe kanë dhënë kontribut. Cetkoviç, Sukaj apo ndonjë tjetër dihet se kush janë e çfarë po bëjnë. Ndërkohë në merkaton e qershorit verën e shkuar erdhi Ekuban që konsiderohet sot një ndër lojtarët më të mirë të kampionatit.

Edhe ju keni deklaruar që nëse nuk dilni kampion do largoheni?

Po, e kam thënë. Jam njeri që kërkoj gjithnjë suksesin. Nëse titulli nuk fitohet, patjetër që do kem moralin që t’i kërkoj presidentit largimin.

Dervishi në intervistën e tij kish përmendur dhe punën e Tomorrit dhe Starovës?

Tomorri është drejtor administrativ i klubit dhe nuk kemi pasur asnjë problem në këtë drejtim gjatë gjithë edicionit,. Ndërsa për Starovën, mendoj që Dervishi e ka personale me të dhe në këto kushte është e kotë të komentosh çfarëdo lloj polemike mes tyre. Nuk është hera e parë që Devishi akuzon Starovën.

A ka diçka personale mes jush?

Jo, nuk kam asgjë personale me askënd. Por kam me të drejtë pretendimin që gjithkush duhet të jetë i kujdesshëm në media, sidomos kur gjykon mbi punën e dikujt tjetër. Madje me sinqeritet as nuk e kam për zakon dhe madje as nuk e mendoj të bëj replika me njerëzit e sportit. Unë jam njeri pasionant, ndonjë gjykim më shumë e jap, por mundohem ti kem të gjithë miq sepse jemi të gjithë brenda të njëjtit “hall”. Shpresoj shumë që niveli i replikave të përfundojë këtu.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image