Partizani-Flamurtari, sfida e “të vuajturve”

“Demat” dhe bregdetarët janë dy ekipet që kanë kundërshtuar më shumë gjyqtarët. Të dy skuadrat luftojnë për Europë

Takimi i sotëm ndërmjet Partizanit dhe Flamurtarit është mjaft interesant, pasi ndeshja që do të nisë prej orës 17:00, në stadiumin “Selman Stërmasi” do të vërë përballë dy ekipe me ngjashmëri të mëdha. Nuk flasim për kontingjentin e lojtarëve, apo mënyrat e lojës, por për objektivat dhe problemet që kanë shoqëruar skuadrat gjatë këtij sezoni. Vendasit dhe miqtë kërkojnë arritjen e Europës, në të kundërt ky edicion mund të konsiderohet krejtësisht i dështuar për të dyja palët. Partizani vjen në këtë ndeshje pas rokadës së dy javëve më parë në stol, Dalipi ka zëvendësuar trajnerin Starova. Në dy ndeshje si trajner i parë, tekniku ka marrë 4 pikë. Momentalisht, të kuqtë ndodhen në vendin e 6 me 36 pikë. Flamurtari vjen pas një ecurie tepër negative në kampionat, pasi nuk e njeh fitoren prej 5 ndeshjes. Skuadra vlonjate koleksionon 3 humbje dhe dy barazimi në 5 javët e fundit të Superiores. Bregdetarët ndodheshin në vendin e 2-të të shkëputur nga ndjekësit, por kanë rrëshqitur në renditje dhe tani e shohin veten në vendin e 5-të me 37 pikë, 1 më shumë se “demat”. Fitorja e kësaj ndeshjeje mund të konsiderohet si 6 pikë, pasi përveç marrjes së 3 pikëve, lë kundërshtarin në tako.

ANKESAT PËR GJYKIMET – Partizani dhe Flamurtari kanë ngjashmëri dhe në akuzat për gjykim. “Demat” dhe vlonjatet mund të jenë dy ekipet më të dëmtuara gjatë këtij sezoni, si nga Komisioni i Disiplinës që nuk ka kursyer dënimet, si nga gjyqtarët në fushën e lojës. Në kushte të tilla, kjo sfidë, mund të etiketohet si ndeshja e “të vuajturve”. Partizani nuk ka kujtime të mira në përballjet me Flamurtarin këtë sezon, pasi ekipi i trajnerit Shpëtim Duro i ka marrë 6 pikë në kampionat, ndërsa i ka eliminuar dhe nga Kupa e Shqipërisë. “Demat” humbën 1-2 në “Selman Stërmasi” në fazën e parë kur në krye të ekipit ishte Juliano dhe 1-0 në fazën e dytë me Starovën. Trajneri Dalipi i mposhti vlonjatet në Kupën e Republikës, por nuk mjaftoi për t’u kualifikuar. Ai do të provojë sot t’i marrë pikët e para miqve në këtë edicion futbollistik. Një duel mjaft interesant për të dy ekipet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *