Partizani fiton në heshtjen e stadiumit

0

Të kuqtë kanë mposhtur bindshëm Teutën në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit, ndërsa tifozët numëroheshin me gishta

Armand Halili

Partizani nuk e ka prishur traditën dhe ka arritur të marrë një trepikësh deri diku të lehtë në stadiumin ”Loni Papuçiu”, të qytetit të Fierit ndaj Teutë. Të kuqtë e drejtuar nga Shpëtim Duro kanë arritur të shënojnë dy gola shumë të shpejtë dhe më pas edhe pse kanë pësuar, kanë administruar rezultatin. Ajo që ka rënë në dy në këtë takim ka qenë zbrazëtia e stadiumit. Si asnjëherë tjetër në ndeshjet e transfertës, Partizani nuk ka pasur një numër të vogël tifozësh si në takimin e djeshëm, ku këta të fundit numëroheshin në gishtat e dorës. Tensioni mes klubit dhe ultrasve vazhdon të jetë prezent. Ndërsa duhet thënë se postimi i takimit në Fier, në një hark kohor të vogël nuk i kanë dhënë “Guerrils”, që të organizohen. Gjithsesi fitorja e djeshme mund të risjellë disi qetësinë te Partizani pas një jave shumë të ngarkuar.
Pjesa e parë – Minutat e para të takimit janë të shumë të vrullshme për skuadrën e kuqe, e cila kërkon më ngulm golin e avantazhit, ndërkohë që Duro ka hedhur në fushë një formacion sulmues. Rrjeta e parë nuk do të vonojë dhe pas disa rasteve të pastra për shënim në minutën e 10’ do të jetë Fazlliu që do të realizojë duke bërë që bankina e kuqe të festojë. Mazrekaj pasi kalon tre kundërshtarë futet bukur në zonën e Teutës dhe jep një pasim për Vilën në qendër të zonës. Ky i fundit lejon topin të shkojë te Fazlliu, i cili me një gjuajtje të saktë e dërgon në rrjetë, duke mposhtur Rizvanin. Pas pësimit të golit Teuta mundohet të fitojë terren në mesfushë, por e ka disi të pamundur. Në këtë mënyrë durrsakët shfrytëzojnë krosimet në zonë, ku herë mbrojtja e kuqe dhe herë portieri Hoxha arrijnë të bëjnë gjithçka mirë duke mbajtur të paprekur rrjetën. Ndërkohë, goli i dytë për Partizanin nuk do të vonojë. Minuta e 17’ dhe Fazlliu merr një pasim nga prapavija dhe arrin të kontrollojë topin. Në këtë moment ndërhyrja e Prençit, rrëzon lojtarin e kuqve dhe për kryesorin Meta ka 11-metërsh. Mazrekaj nga pika e bardhe nuk gabon dhe ky është goli i qetësisë për Partizanin, që duket se brenda pak minutash ka hipotekuar një trepikësh të rëndësishëm për të ardhmen. Partizani pas këtij momenti e ul disi ritmin e lojës, ndërkohë që Nexhipi i dëmtuar i lë vendin Bylykbashit në fushë. Teuta arrin të fitojë disi terren dhe bëhet e rrezikshëm në portën e Hoxhës. Në minutën e 39’, Çota do të ketë një përplasje me Krasniqin në zonën e të kuqve dhe Meta akordon një tjetër 11-metërsh në këtë ndeshje, por këtë herë për Teutën. Nika merr përsipër gjuajtjen dhe nuk gabon duke realizuar. Durrsakët shtojnë përpjekjet e tyre për të shënuare dhe golin e barazimit në këtë pjesë të parë, por pa ia arritur.
Pjesa e dytë – Trajneri Duro detyrohet të bëjë një tjetër zëvendësim, pasi Bylykbashi ka një tërheqje muskulore dhe nuk mund të jetë në fushë. Në vend të tij, aktivizohet Ibrahimi dhe mbrojtja e kuqe bëhet më e fortë. Duhet thënë se në këtë fraksion të lojës, Partizani mbron rezultatin, por edhe rastet për gol nuk i mungojnë me Fazlliun, Vilën dhe Mazrekajn, por që finalizimi nuk është i duhuri. Nga ana tjetër Teuta deri në fund të 90’ minuta u përpoq që të gjente golin e barazimit, por pa ia arritur të çajë në mbrojtjen e Partizanit.

3
Herë ka arritur të fitojë Partizani ndaj Teutës në këtë sezon futbollistik edhe pse dy prej ndeshjeve janë zhvilluar jashtë kryeqytetit.

3
Pikë është diferenca e të kuqve më vendin e parë në klasifikim, që mbahet nga Tirana me pikë të barabarta me Kukësin. Këta të fundit luajnë sot ndaj Skënderbeut.

Ok
Me fitoren e djeshme ndaj Teutës, në kampin e kuq duket se do të rikthehet qetësia, pas një jave shumë të ngarkuar pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë.

 

Partizani – Teuta  2-1

 

Shënues: Fazlliu 10’, Mazrekaj 17’ (p) / Nika 39’ (p)

 

E diel, 22 shkurt 2015, ora 14:00 në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit

Partizani: Hoxha, Fejzullau, Rrahmani, Krasniqi, Cuculi, Trashi, Nexhipi (Bylykbashi 29, Ibrahimi 46’), Vila, Fazlliu, Mazrekaj, Raçiç (Vrapi 77’). Trajner: Sh.Duro

Teuta: Rizvani, Stafa (Deliallisi 75’), Brahja, Prençi (E.Hoxha 31’), Kotobelli, Dita, Ahamataj, Nika, Kuli (Koreshi 64’), Çota, Hoxhallari. Trajner: G.Begeja

Gjyqtarë: K.Meta, R.Avdo, R.Malaj (Tiranë)

Kartonë të verdhë:  Fazlliu/ Prençi, Çota, Brahja

 

Golat

 

10’ Mazrekaj arrin të kalojë tre mbrojtës të skuadrës së Apolonisë dhe jep një asis për Fazlliun, i cili në kufijtë e zonës gjuan bukur dhe mposht Rizvanin. 1-0

17’ Fazlliu kontrollon një top brenda zonës së Kukësit dhe Prençi e rrëzon në mënyrë të parregullt. Kryesori Meta akordon 11-metërsh dhe nga pika e bardhë gjuan Mazrekaj duke arritur të shënojë. 2-0

39’ Krosim i hedhur në zonën e Partizanit dhe Çota gjatë një dyluftimi me kokë me Krasniqin rrëzohet në zonë dhe gjyqtari Meta akordon 11-metërsh. Nika nga pika e bardhë gjuan dhe shënon. 2-1

 

Episodet

 

2’ Nexhipi kroson nga goditja e këndi dhe Krasniqi brenda zonës së Teutës gjuan fort me kokë, por pret Rizvani.

4’ Mazrekaj tenton me një goditje të fortë nga jashtë zone, por nuk është i saktë.

8’ Ahmataj provon me një krosim të gjatë në zonën e Partizanit, por del Hoxha dhe largon rrezikun.

13’ Mazrekaj në hyrje të zonës gjuan fort në pozicion të prirët me portën, por grushton portieri i durrsakëve.

16’ Nika kroson në zonë nga një goditje dënimi, por Hoxha del dhe arrin të presë.

22’ Ahmataj tenton të gjejë rrjetën nga distanca, por është i pasaktë në goditje.

31’ Kuli ekzekuton një goditje dënimi në pozicion të prirët me portën dhe Nika devijon në shtyllën e parë, por ka vetëm rrjetë të jashtme.

42’ Mazrekaj jep një asis për Fazlliun, i cili përballë Rizvanit nuk gjuan siç duhet dhe pret portieri Rizvani.

45’ Krosim në zonën e Teutës dhe Fazlliu ul bukur për Vilën, por ky i fundit nuk arrin të gjuajë siç duhet.

49’ Raçiç gjuan fort nga një goditje dënimi larg zonës, por topi është shumë larg kuadratit.

55’ Mazrekaj kroson nga e majta dhe topi merr një trajektore të çuditshme dhe është dashur ndërhyrja e Rizvanit që të mos përfundonte në rrjetë.

63’ Krosim në zonën e Partizanit dhe Kuli me kokë devijon, por topi përfundon në duart e Hoxhës.

89’ Mazrekaj jep një pasim të saktë për Cuculin në qendër të zonës durrsake dhe mbrojtësi gjuan fort, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule të Rizvanit.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.