Partizani, “dimri i madh” apo i “vetmisë së madhe”?!

Nëse Partizani sot do të ishte një roman, Dimri i madh i Kadaresë – “Dimri i vetmisë se madhe” për të qenë korrekt në dorëshkrimin fillestar – do t’i shkonte përshtat dhe në vend të rusëve sot dekada më vonë mund te imagjinonim fare mirë italianët.

Kur Moxhi u shfaq në Shqipëri fillimisht duke promovuar një libër e më pas duke marrë nëpër duar çelësat e Partizanit, të ngjasonte njësoj si Hrushovi. Për sa grurë keni nevojë ju, në Rusi i hanë minjtë nëpër hambarë? Me pak fjalë, çfarë doni ju, trajner e lojtarë? Në Itali ka me thasë, ua gjej unë.

Sot Moxhi të ngjan me atë ushtarin sovjetik që qëndronte përballë shqiptarit në Pashaliman dhe që të dy zihen për nëndetëse që në rastin më të mirë duhet të meritonte motivin Tetori i kuq. Përballë Moxhit është qartësisht Starova, gjenerali shqiptar që mesa duket boll duroi dhe priti ndeshjen e katërt për të treguar se: këtu zot jemi ne. Për Julianon është e kotë të flasësh. Ismail Kadare kishte shumë stil dhe fantazi që trajneri aktual i Partizanit të qe personazh në romanin e tij.

Partizani sot nuk është një roman dhe Gaz Demi nuk është Enver Hoxha. Palët nuk duhet të sillen si në kohën e luftës së ftohtë dhe këto kampet shqiptaro-italiane jo vetëm që nuk kanë sens, por janë shndërruar në një komedi njësoj si intervistat që i bënin njëri-tjetrit Malota e Sukaj para ndeshjes kundër Lushnjës në pistë.

Se kush nuk do kë, ende nuk kuptohet qartë. OK, mund të jetë e vërtetë që senatorët shqiptarë, të llastuar e përkëdhelur edhe nga vetë presidenca ndër vite – janë ende të freskëta pamjet kur Demi pinte uiski ne lojtarët – janë bezdisur nga disiplina e ekzagjeruar qe vjen nga Adriatiku, por edhe që Moxhi nuk është ai i Juventusit e Juliano habit formacionin që bën e ndërron në 90 minuta, kjo është e pastër si dielli. Shto këtu dhe xhelozitë e drejtuesve shqiptarë që paguhen sa gjysma e kolegëve që vijnë nga Seria A dhe e kupton qe në llogore armët janë mprehur. Pra, Partizani sot na qenka një miks mes te pakënaqurve, të llastuarve, zgjedhjeve te gabuara, xhelozisë dhe një trajneri që ndoshta nuk e ka vendin në Shqipëri. Kush e ka fajin është e thjeshtë, si mund të zgjidhet është ca më e vështirë.

Thonë që Moxhi nuk preket, por senatorët gjithashtu nuk i largon dot sa hap e mbyll sytë. Le që nuk janë pa gjë dhe ndoshta duhen. Starovën e kemi gjithnjë aty, ndërsa blerjet nuk i zhduk dot para janarit. Juliano ndoshta dhe ndërrohet, por a do mjaftojë?! Lipset pra që Moxhi të flasë me Starovën, senatorët te vazhdojnë të pinë ndonjë uiski, shqiptarët t’i paguash njësoj si italianët dhe blerjeve t’u gjesh vendin e duhur. Ose, ose, të bësh dimrin e vetmisë së madhe, njërën palë ta zhdukësh, dhe si i thuhej atëherë, me forcat tona derisa të vijnë kinezët për të shkruar Koncert në fund të dimrit. Puna është që Demi s’po kupton se kush janë shqiptarët e kush rusët, sepse shpesh shqiptarët sillen si rusë e rusët si shqiptarë. Moxhi për momentin të ngjan si kinez. Shqiptarët i duan shumë italianët, por si thuhej në “Koncert në fund të dimrit”, këta kinezët nuk shihen me sy. Që kur erdhën këta, çdo gjë shkon keq. Më mirë vetëm, se me ta.

Partizani nuk është një libër, por njësoj si Shqipëria e Kadaresë, është vetëm dhe i fundit. Tani duhet të blejë njësoj si grurin që e porositën në Francë. Atë që e hanin minjtë nuk erdhi kurrë. Ky Starova më ngjan gjithnjë si Mehmet Shehu, në fund fiton gjithnjë. Gazi nuk di ç’të bëjë. Inatin e ka me Moxhin, Starova po ia gërric nervin, lojtarët do që t’i “rrahë”, gazetat i kujtojnë vendin e fundit. Ndoshta duhet t’i “vrasë” të gjithë dhe ta shesë si vetëvrasje. Ta nisë nga e para. Kadare nuk e shkroi vëllimin e tretë, ngeli te rusët dhe kinezët…

One thought on “Partizani, “dimri i madh” apo i “vetmisë së madhe”?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *