Partizani dhe Nikoliç, një seri gafash fatkeqe

Viti 2016: Partizani krejt papritur firmoste me sulmuesin Dalibor Volash, një slloven me CV mjaft të pasur, i cili shënonte kudo, por sidomos te Maribori. Ironi e fatit, po ai Maribor që e hoqi qafe pa lodhur shumë Partizanin para pak ditësh. Volash luajti 17 minuta në Europë me të kuqtë, 17! Doli i tepërt, nuk bënte, mori ca para si ngushëllim dhe iku në Slloveni, ku shënoi 15 gola në 28 ndeshje për Celjen.

Viti 2018: një sulmues nga Mali i Zi, Stefan Nikoliç, vjen dhe firmos për Partizanin. 28 vjeç, premtim që nuk u përmbush kurrë, me zor ka shënuar nja 40 gola në gjithë karrierën si profesionist, kishte edhe njolla në biografi, pasi në Rumani ishte bërë personazh negativ, me alkool, sherre, shkelje ligji. Kush e solli në Tiranë, pse erdhi te Partizani, si firmosi pa u provuar fare, si iku sot pa zhurmë, janë misteret e Partizanit. Klub privat, do thotë dikush, ç’të duhet ty? E drejtë, por kur klubi mban emrin Partizani dhe ka tifozë nga e gjithë Shqipëria, disa prej tyre ndoshta më të vjetër se vetë Partizani, atëherë klubi privat ka edhe përgjegjësi morale ndaj tifozëve, sepse pastaj ndihet keq kur stadiumi mbetet bosh, kur të ardhurat bien, kur sponsorët nuk afrohen, kur televizionet nuk paguajnë. Për këtë arsye, disa pyetje lindin spontane, kur sheh që klubi më i madh në Shqipëri bën të njëjtat gafa fatkeqe thuajse çdo vit dhe nuk po arrin të gjejë rrugën e duhur.

Para pak javësh trajneri Skënder Gega i prezantua duke folur gjatë për të rinjtë, për projektin e klubit, investimet dhe rritja e talenteve. Deri tani, vetëm fjalë të thëna bukur, sepse rasti Nikoliç tregoi që klubi jo vetëm që nuk afroi sulmues për të ardhmen, por gjithashtu zhvlerësoi trajnerin, të cilit i solli nje sulmues që në dy vitet e fundit ka ndërruar 5 ekipe e më zor ka shënuar 5-6 gola.

Po financat? Në një kohë kur Partizani mundohet të ulë shpenzimet dhe po mundohet si e si të largojë Edgar Çanin, vjen një sulmues tjetër, qëndron dy javë, merr disa para dhe largohet, sepse Nikoliç nuk ka ikur pa paguar, këtë e kemi të qartë të gjithë. Ndërkohë, sulmi ka mbetur sërish jetim, Çani është aty dhe nuk përdoret dhe Partizani bën atë që duhej ta kishte bërë me kohë, merr Hebajn. Nuk e merr për vete, sepse huazimi nga Domzhale është njësoj si rasti Ekuban, Partizani nuk përfiton asgjë ekonomikisht.

Po të rinjtë? Bitri, Okebugu e Statovci, gjithnjë nëse do të luajnë, janë goditje interesante, por asnjëri nuk është produkt i Partizanit. Këtë verë nuk është afruar asnjë lojtar nga grupmoshat e Partizanit, prej ku janë larguar sistematikisht lojtarë për të mos u kthyer më. Cili është mesazhi, Partizani nuk prodhon talente dhe punohet kot? Atëherë çfarë stimuli kanë të rinjtë që ëndërrojnë fanellën e kuqe? Po prindërit e tyre që shpenzojnë pa fund për t’i bërë fëmijët futbollistë?

Po tifozët? Para pak vitesh ishin me mijëra, tani ‘qindra’ është luks në stadium. Aq sa tifozë udhëtonin për në Hungari për të parë sfidën kundër Ferencvaroshit, me zor i sheh në Selman Stërmasi për disa ndeshje të Superiores. Prej vitesh është përdorur çdo lloj justifikimi për të fshehur arsyet e vërteta të dështimit, por tashmë të gjithë e kanë kuptuar që pikësëpari fajin e ka Partizani, pastaj armiqtë rreth e rrotull. Nëse sheh çdo vit të njëjtat histori, të njëjtat dështime, të njëjtat lëvizje absurde në merkato, ndërsa trofetë nuk duken gjëkundi dhe fjalët i merr era sapo nis sezoni, atëherë edhe tifozët do të zhduken nga stadiumi. Është demokraci, për fat, njerëzit kanë plot gjëra më të mira për të bërë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *