Parashikimi i Shnajder: E vështirë pa CR7, Ajaksi mund ta eliminojë Realin

Uesli Shnajder po aktivizohet në Katar me ekipin e Al Garafës, me të cilët ka një kontratë deri në fundin e këtij sezoni. 34-vjeçari ka dhënë një prononcim për Doha për spanjollen “Marca”, duke komentuar përballjen në Champions midis Ajaksit dhe Realit të Madridit.

Mesfushori fantazist ka luajtur më të dyja ekipet, ndërsa mendon se holandezët kanë shanse për t’u kualifikuar. Shnajder nuk është i befasuar nga vështirësitë që po has ekipi madrilien, ndërsa tregon dhe shkakun e kësaj forme të dobët.

CHAMPIONS – “Unë mendoj se për Ajaksin është momenti më i mirë për t’u përballur me Realin e Madridit, që nuk i shoh aq të fortë sa vitet e fundit. Ajaksi ka një skuadër shumë të re, por ka shumë kualitet dhe luan shumë mirë, sidomos në shtëpi. Do të jetë një përballje shumë e komplikuar për Realin, që sigurisht mbetet favorit, edhe pse shumë do të varet nga rezultati i ndeshjes së parë në Amsterdam. Ajaksi ka shanset e tij për t’u kualifikuar, tifozët e Realit nuk e ndjekin futbollin holandez dhe nuk i njohin mirë kundërshtarët, të cilët kanë lojtarë si De Ligt dhe De Jong, lojtarë me kualitet dhe me të ardhme.”

CR7 – “E dija se Reali ishte shumë i varur nga Kristiano Ronaldo, i cili bënte gjithmonë diferencën, prandaj nuk jam surprizuar nga vështirësitë që po has ekipi. Portugezi e merrte Realin përdore në momentet e vështira. Nëse ai do të ishte akoma pjesë e ‘Los Blancos’, Ajaksi do të kishte shumë më pak shanse për t’u kualifikuar.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *