Parashikimi i Jashanicës: Fiton Skënderbeu 1-0!

Kosovari flet 3 ditë para sfidës të së enjtes dhe beson verbërisht se skuadra e tij do ta kalojë Kairatin, por bën thirrje për kujdes

Leonard Trebicka

Skënderbeu përballet të enjten me Kairatin, kundërshtar që për të gjithë në Korçë është shumë i vështirë, por jo i pakalueshëm. Në fakt, në radhët e Skënderbeut ka optimizëm përpara një ndeshjeje të tillë kaq të vështirë dhe kjo është gjë pozitive. Një pjesë e madhe e ekipit i mëshon fakti se duhet të qëndrohet me “këmbë në tokë”, pasi është edhe ndeshja e kthimit, që vendos kualifikimin. Për “Sport Ekspres” ka folur dje mbrojtësi i qendrës së Skënderbeut, Bajram Jashanica, i cili zhvilloi një ndeshje të mirë në Kazakistan. Ai vlerëson kundërshtarin, por pret kualifikimin e Skënderbeut, madje bën edhe parashikimin e rezultatit.
KAIRATI – Mbrojtësi Jashanica, duke u fokusuar tek ekipi kundërshtar, thekson se Kairati është i fortë dhe thotë e di fort mirë që ndeshja e kthimit do të jetë e vështirë: “Në Kazakistan, një javë më parë, ishte një ndeshje e vështirë dhe këtë e dinim të gjithë. Ia dolëm, por në Korçë do të jetë më e vështirë. Nuk duhet të dorëzohemi në asnjë moment të enjten në mbrëmje, pasi Kairat ka individë shumë të mirë, ka lojtarë që bëjnë diferencën. Ne si mbrojtje do të kemi shumë punë, pasi ata nuk kanë çfarë të humbin dhe do të sulmojnë nga fillimi në fund. E di që do të kemi punë në këtë përballje, por them se, nëse luajmë si në Kazakistan, do t’ia dalim. Duhet të luajmë të bashkuar, të mbrohemi shumë mirë dhe të sulmojmë të gjithë si skuadër, sepse vetëm kështu mund ta çajmë kundërshtarin”.
PËRGATITJET – Për sa u përket përgatitjeve të këtyre ditëve, Jashanica shprehet se gjithçka po shkon mirë: “Që ditën e parë që kemi mbërritur në Korçë, kemi filluar të mendojmë vetëm për ndeshjen e kthimit dhe jemi fokusuar te stërvitja, që të jemi 100% gati të enjten. Të gjithë janë optimistë në skuadër se do t’ia dalim. Dhe ky optimizëm është i kontrolluar, pasi nuk duhet të “fluturojmë” e të mendojmë se gjithçka ka përfunduar pas atij barazimi. Kemi edhe dy ditë kohë dhe do të bëjmë ç’është e mundur që ta përgatisim në mënyrën më të mirë këtë takim. E rëndësishme është që ka optimizëm”, – ka shtuar Jashanica.
SHANSET – Të gjithë në Korçë mendojnë se Skënderbeu ka shanse të mëdha të kalojë më tej. Edhe mbrojtësi kosovar pranon se Skënderbeu ka avantazhe, por gjithçka është e hapur: “Jemi të avantazhuar nga barazimi 1-1 në ndeshjen e parë, por asgjë nuk ka përfunduar. Për këtë jemi të vetëdijshëm. Jemi një grup futbollistësh shumë të fortë, me ego dhe që besojmë se do të ecim më tej. Kairati e ka të vështirë dhe këtë e dinë mirë kazakët. Dua të shtoj diçka, që do të na favorizojë shumë, tifozët. Nëse do të kemi mbështetje të madhe nga tifozët, jam i bindur se do të jemi ekipi, që do të kalojë më tej. Gjej rastin t’u bëj thirrje të gjithë korçarëve, që të enjten të jenë sa më të shumtë në stadium”.
PARASHIKIMI – Pyetjes për mënyrën si mund të shkojë ndeshja e sa enjtes me Kairatin, Jashanica i përgjigjet me optimizëm për fitore, madje edhe me një parashikim për rezultatin: “Sigurisht, është pak e vështirë ta parashikosh një ndeshje të tillë, por kam mendimin se do të ditojmë ne, me rezultatin 1-0, duke kaluar më tej. Nuk mendojmë që tani për raundin e tretë. Nuk jemi duke menduar për asnjë kundërshtar, përveç Kairatit”, – ka përfunduar Jashanica.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *