Paradoksi/ Magjia e Kros çoroditi Valencian, Reali në finalen e shpikjes së Spanjës

Reali i Madridit ka fituar me rezultatin 1-3 ndaj Valencias në Superkupën e Spanjës. E gjithë vëmendja është te perla e Toni Kros, që nga goditja e këndit hapi takimin. Ky gol i ka çoroditur të gjithë te Valencia, duke e bërë punën e madrilenëve shumë herë më të lehtë. Isko do të realizonte sërish në minutën e 39, ndërsa një tjetër realizim i bukur nga Modriç në të 65, i dërgoi shifrat në 0-3.

Parejo do të shënonte golin e vetëm të nderit në minutën e fundit të takimit, për të përmbyllur statistikën. Ndërkohë Reali i Madridit gjendet në këtë Superkupë falë shpikjes së re nga Spanja. Kjo pasi për herë gjenden 4 skuadra, ndërsa ekipi i Zidan do të presë gjysmëfinalen tjetër mes Barcelonës dhe Atletiko Madridit. Nëse Superkupa do të mbante të njëjtin format si më parë, atëherë Reali i Madridit nuk do të ishte pjesë e saj për këtë sezon, që paradoksalisht mund të rezultojë si fituesi i tij. /Sport Ekspres/