Paradoksale në Euro 2020/ Një kartë po digjet, Maqedonia e Veriut shihet në pasqyrë si…Kosova!

Maqedonia e Veriut ka humbur në transfertë me rezultatin 2-0 ndaj Polonisë, duke i dhënë “lamtumirën” Europianit në një farë mënyre nga grupet kualifikuese. Megjithëse është ende në garë matematikisht, ka shumë pak shanse që të vazhdojë më tej.

Dy ndeshje të mbetura dhe Austria që ndodhet 5 pikë para, në vendin e dytë. Dëshira do t’i realizohej Maqedonisë së Veriut, nëse dy ndeshjet e mbetura, duke e nisur nga e radhës që është direkte në transfertë me Austrinë, do t’i fitonte. Ndërkohë nga ana tjetër, Austria duhej t’i humb këto dy takime.

Pra, praktikisht e pamundur dhe Maqedonia e Veriut bëhet gati të nxjerrë letrën e dytë dhe të fundit nga xhepi, “Ligën e Kombeve”. E çfarë paradoksi, aty sheh përballjen me Kosovën. Këta të fundit e kishin bërë të njëjtën gjë pikërisht një mbrëmje më herët, megjithëse të dyja këto përfaqësuese përpara disa ditësh, kishin aq shumë shpresa për kalimin më tej.

Kosova, ashtu si edhe Maqedonia e Veriut, pas befasisë së Çekisë ndaj Anglisë, ka një mision gati të pamundur. Fillimisht duhet mundur Mali i Zi, pastaj është e dënuar për të fituar në transfertë ndaj Çekisë dhe në fund duhet të paktën një pikë në shtëpi ndaj Anglisë.

Sado premtues dhe me potencialë që janë futbollistët, këto rezultate që duhen marrë në këto tre takime, i kanë të pamundura edhe Kombëtaret me shumë vite eksperiencë dhe mbi supe. Flitet për një ndeshje të kalibrit të lartë dhe diku do të rrëshqitet.

Në kushte të tilla edhe Kosova ka nisur të mendojë për atë gjysmëfinale të Ligës së Kombeve ndaj Maqedonisë së Veriut, me fituesin që do të diskutonte edhe biletën e vërtetë të Europianit. /Sport Ekspres/