Paqe në Pukë, Tërbuni e Vllaznia B mjaftohen me pikën!

Vllaznia B ka arritur që të marrë pikën e parë në këtë edicion, pikërisht në transfertën pukjane. Një barazim 1-1 ka bërë që të dyja skuadrat të mjaftohen me nga një pikë.

NDESHJA – Takimi nisi me raste për të dyja skuadrat, ku në pak minuta diferencë, Dibra për miqtë dhe Nimani për vendasit shpërdoruan dy raste të pastra shënimi. Në të 15-ën, Dema hedh një top për Markolajn, i cili mjaft bukur godet dhe realizon golin e avantazhit. Gëzimi i miqve nuk zgjat shumë pasi vetëm pas 10 minutash lojë vendasit ekuilibrojnë gjithçka. Në të 25-ën Shaba rrëmben një top në mesfushë dhe avancoi i vetëm përpara. Pasi shmangu disa mbrojtës kundërshtar, gjen hapësirë provon me të djathtën dhe realizon golin e barazimit. Goli u dha zemër vendasve që nisën të rrezikonin më shumë. Nimani dhe Shaba tentuan disa herë që të realizonin golin e avantazhit, por tentativat e tyre nuk patën rezultat.

PJESA E DYTË – Në fraksionin e dytë të dy trajnerët kryen zëvendësime, teksa Saliaj për vendasit dhe Tula për miqtë zunë vendet e Rustemajt dhe Erkoçeviçit. Autori i golit të barazimit, mund të kishte shënuar dhe golin e dytë, por fati nuk ishte me të teksa goditja e tij pasi gjeti shtyllën përfundoi jashtë. Vendasit arritën që të gjenin rrugën e e rrjetës me anë të Nimanit, por gjyqtari anuloi golin si të parregullt, për pozicion jashtë loje. Kontestimet e shumta të pukjanëve nuk ndikuan aspak në vendimin e xhaketave të zeza që ishin mjaft të vendosura. Minutat e fundit do të sillnin sërish raste për vendasit, por rruga e rrjetës nuk u gjet. Barazimi i parë për Vllazninë, dhe i dyti për Tërbunin, që në fund mori dhe duartrokitjet e tifozëve të pranishëm në stadium.

Pas ndeshjes…

Krepi, trajneri i Tërbunit: “Në prononcimin e tij pas ndeshjes trajneri Kreshnik Krepi u shpreh: “Më vjen keq që lamë dy pikë para tifozerisë tonë që na mbështetën për 90 minua lojë. Sot e kisha përgatitur skuadrën për një fitore pas barazimit të parë me Besëlidhjen. Skuadra ime humbi shumë raste, por një pakujdesi nga mbrojtja jonë ekipi mik arriti që të shënonte golin e parë. Pas shënimit të golit, sulmuesit e mi shpërdoruan shumë raste ku mund ta kishim fituar ndeshjen. Në fraksionin e dytë u munduam që të dominonim dhe me zëvendësimet e bëra, por nuk ia dolëm dot. Tani duhet të shohim takimet e radhës, pasi duhet sa më parë që të arrijmë fitoren”, – përfundoi Krepi.

A. Mehja, zv. trajner i Vllaznisë B: Pas ndeshjes zëvendës trajneri Admir Mehja u shpreh: “E kishim vlerësuar shumë ekipin Tërbunit, pasi ishte hera e parë që luanim kundër tyre. Pavarësisht se ne kaluam të parët në avantazh, Tërbuni na vuri në vështirësi. Pas disa gabimeve tona ata arritën të barazonin. Kundërshtari bëri një ndeshje të mirë dhe mund të kishte fituar. Besoj se Vllaznia B do të qëndrojë gjatë në Kategorinë e Parë dhe do ecim përpara”, – përfundoi Mehja.

Tërbuni – Vllaznia B      1-1

Shënues: Shaba 25’/  Markolaj 15’

Tërbuni: Rexhepi, Balaj, Prendi, Rustemaj (Saliaj 46’), Beci, Janot, Mezini (Pepa 64’), Shaba, Lekaj, Taku (Shytani 85’), Nimani. (Në dispozicion: Mehidri, Zagani, Blinishta). Trajner: K. Krepi.

Vllaznia B: Vjerdha, Kola, Balaj, Kukaj, Ruqi, Bega, Dema, Erkoçeviç (Tula 46’), Hajdari, Markolaj (Kusi 86’), Dibra.  (Në dispozicion: Hasani, Hoxha, Hallunaj, Premçi, Hyseni). Zv. trajner: A. Mehja.

Gjyqtarë: Xh. Mema, F. Lama, R. Mersini, K. Shahini (Durrës).

Kartonë të verdhë: Saliaj 54’/ Kukaj 50’ Dibra 71’, Ruqi 79,  Deda 90+4’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *