Papu Gomez vuri në lojë Spaletin: Miranda, ndërrim!

0

Futbollisti më gazmor i Serisë A është pa dyshim Alehandro “Papu” Gomez, sulmuesi argjentinas i Atalantës i cili është një idhull në Bergamo, por respektohet edhe nga gjithë tifozët kundërshtarë. Arsyeja, përtej cilësive si futbollist (është lojtar i kombëtares dhe lider tek Atalanta), është se Gomez e sheh futbollin ashtu si duhet të jetë, një lojë, jo një luftë, ndaj shpesh gjërat nuk duhen marrë aq seriozisht sa bëhen në media, apo mes klubeve, që shpërthejnë në akuza e hedhin baltë mbi gjithçka.

Fundjavën e shkuar Atalanta barazoi 0-0 me Interin dhe Gomez, përveçse ishte ndër më të mirët në fushë për Atalantën, bëri edhe diçka komike, duke vënë në lojë trajnerin e Interit Luçiano Spaleti. Në minutën e 76-të qendërmbrojtësi i Interit Miranda, i shkëlqyer në atë takim, mori një goditje dhe po fërkonte këmbën, ndërsa Gomez e pyeti a ishte mirë dhe më pas u kthye tërë seriozitet nga stoli i Interit, duke bërë me shenjë që Miranda duhej zëvendësuar.

I alarmuar, Spaleti urdhëroi ‘Ranokian të bëhej gati për t’u futur në fushë, por pak më vonë e kuptoi rrengun e Gomezit dhe e anuloi zëvendësimin, ndërsa filloi të shante e të bënte gjeste ndaj Gomezit, që po zgërdhihej në fushë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here