Panuçi: Kombëtarja është serioze, edhe lojtarët e dëmtuar duhet të paraqiten

Shpërthen Kristian Panuçi: në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Turqisë, trajneri i Kombëtares sonë ka pasur diçka për të sqaruar, duke marrë shkas nga polemika e ngritur në media, në lidhje me largimin e disa lojtarëve të dëmtuar. Sipas Panuçit, edhe lojtarët e dëmtuar duhet të paraqiten në kombëtare, ku duhet të paraqesin një dokument për të vërtetuar që janë të dëmtuar, ose do të vizitohen nga stafi i Kombëtares, para se të lihen të lirë. Diskutimi a kanë ardhur dhe pse kanë ardhur të dëmtuar është i kotë.

“Atëherë, t’i sqarojmë pak gjërat. Nëse informacioni vjen me e-mail, nëse doktori im telefonon Barin, nuk gjen përgjigje. Nëse lojtari thotë “nuk jam mirë, kam marrë një goditje, nuk vij”, atëherë ky nuk është profesionalizëm. Ka disa rregulla, edhe për lojtarët e dëmtuar, duke përjashtuar lojtarë si Cikalleshi e Balaj, që kanë kohë që janë dëmtuar. Duhet të paraqiten në kombëtare, sepse në kombëtare jemi seriozë, i bëjmë gjërat në mënyrë serioze, nuk bëjmë palaçollëqe.

“Kemi tentuar për një javë që të bisedojmë me mjekun e Barit dhe Basha kishte të drejtë dhe detyrim që të paraqitej në kombëtare, siç erdhi. Kishte ndeshje kampionati, por nuk mund të luante. Rregulli është që duhet të paraqitesh në kombëtare me një rezonancë, pastaj ne vendosim nëse duhet të të dërgojmë në shtëpi.

“Për Latifin dërguan një copë letër ku shkruhej se ka tre javë me dëmtim. Ky nuk është profesionalizëm, nuk është seriozitet. Askush nuk do ta bëjë të stërvitet një lojtar që është i dëmtuar. Latifi erdhi, e pyeta si ishte, më tha “mirë, mirë”. “OK, stërvitu”, i thashë, sepse po të më thoshte që nuk ndihet mirë, nuk do stërvitej. Basha erdhi, provoi, kur e pamë që nuk ia dilte mbanë, u kthye në shtëpi. Abrashi nuk erdhi fare në Tiranë, sepse ka rregulla, që quhen profesionalizëm, nga ana e klubeve dhe nga ana e Federatës.

“Nëse dikush vjen dhe më tregon një certifikatë mjekësore, atëherë mjeku e vlerëson dhe më thotë “Mister, nuk mund të stërvitet”, “Mister, mund të stërvitet”. Ne i kemi bërë gjërat me seriozitet, Federata është sjellur ashtu si duhet, ata janë të detyruar të vijnë në Kombëtare, Shqipëria është diçka serioze, pikë. Për Strakoshën deri të enjten nuk dinim asgjë. Kur ndjeu një problem, bëmë një rezonancë, u evidentua një problem që e kishte prej dy muajsh, ndaj e nisëm në shtëpi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *