Panuçi, koha për t’u parë në fushë

Gjergji Stefa

Disa muaj në drejtimin e Shqipërisë, më shumë se sa Panuçin kanë ndihmuar Shqipërinë, për të njohur trajnerin i cili ka një mision më të vështirë se paraardhësit. Suksesi i De Biazit si kuqezi ishte kaq i madh, sa rezultati afatgjatë përveç kualifikimit në Europian do konsiderohej një zhgënjim për punën e ish-lojtarit të madh që po tenton të shndërrohet në një trajner të suksesshëm. Ai ndoshta nuk ka ende një ide 100% për potencialet e Shqipërisë, por ne diçka kemi mësuar. I drejtpërdrejtë, konkret, pa shumë fjalë dhe disiplinë e përqendrim maksimal. Në dhomat e zhveshjes është një gjeneral, ndërsa në ambientin e grumbullimit një diktator. Rregullat janë bërë për t’u zbatuar dhe askush nuk ka të drejtë t’i shkelë. E shkuara shumë pranë Kapelos dhe qenia si lojtar në klubet më të rëndësishme të Europës i japin të drejtë filozofisë së tij. Detajet janë gjithçka, nëse mungon diçka, e gjitha ndikon në rezultat. Një krahasim i shpejtë, De Biazi, gjithashtu Italian, në këtë drejtim ishte më fleksibël. Funksiononte me një “tërhiq e mos e këput”, dinte kur bënte arrogantin, konservatorin, komedianin dhe liberalin. Panuçi ka vetëm një fytyrë dhe nuk e ndërron atë për asnjë arsye në botë.

Çka ndodh jashtë fushës nuk ka asnjë vlerë nëse nuk shoqërohet me triumfin brenda fushës. Deri tani ka disa pikëpyetje që duhet të shuhen me kalimin e kohës. Më së shumti ngjajnë si pikëpyetje: A do vazhdojmë të luajmë në sulm, pa llogaritur kujdesin e tepruar dhe ajo çka është një kërshëri e madhe, si do sillemi me kundërshtarë të njëjtë me ne në renditjen e FIFA-f dhe në forcë apo pritshmëri? Norvegjia në këtë pikë është një provë interesante, sepse Skocia dhe Izraeli janë pak a shumë e njëjta gjë.

Ajo me të cilën duhet të mësohemi është qartësisht – e thënë edhe publikisht – Panuçi nuk është De Biazi, si brenda, ashtu edhe jashtë fushës. De Biazi bënte kompromise të pranueshme në dhomat e zhveshjes, por në fushë ishte një katenaço fituese, Panuçi është një diktator në hollin e hotelit, por një partizan i futbollit të shkujdesur dhe sulmues. Receta nuk ka. Nëse në fund fiton, kura është gjithnjë e duhura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *