Panuçi “i hap dyert” e Kombëtares Kejdi Bares!

0

Trajneri i Shqipërisë rrëfen për “Sport Ekspres”: “E pashë ndeshjen dhe më pëlqeu shumë. Lojtar cilësor. Por, po ndjek edhe Vajushin, e njoh mirë”

Anton Cicani

Goli ndaj Liverpulit duket se e ka vendosur në një tjetër dimension. Tashmë, Kejdi Bare ka një përgjegjësi apo detyrë shumë të rëndësishme: të tregojë se ai gol dhe ajo paraqitje në “Audi Cup” të Gjermanisë (turneu prestigjioz u morrin pjesë Atletiko, Liverpuli, Bajerni dhe Napoli) nuk ishte rastësi, por “stigmata” e një ylli që po lind dhe të cilit po ia fërgon talentin një “gjeneral” si Diego Pablo Simeone. Por, për Kejdi Baren, që në jetën e tij, deri tani është mësuar t’i arrijë të gjitha me punë dhe sakrifica, ka qëndruar përpara tv edhe Kristian Panuçi, trajneri i kombëtares së Shqipërisë, që mori vendin e Xhani de Biazit. Dhe, në një prononcim ekskluziv për “Sport Ekspres”, ish mbrojtësi i Romës, i pyetur për Baren, dha një mesazh të rëndësishëm, që duhet të gëzojë mesfushorin fierak dhe familjen e tij, sidomos të atin Artan Bare, që ka qenë dikur futbollist…
“Më pëlqen shumë. E ndoqa me vëmendje ndeshjen Atletiko Madrid-Liverpul dhe m’u duk mjaft interesant. E kam parë edhe herë të tjera. Më duket një futbollist në rritje dhe që duhet të vazhdojë kështu si e ka nisur”.

Vajushi – Sakaq, i pyetur për një tjetër “beniamin” të tij, Armando Vajushi, që sigurisht ka kaluar një periudhë të vështirë mes dëmtimeve dhe formës së mirë që gjithmonë e më shumë ishte e vështirë të arrihej, ja se çfarë ka thënë Panuçi: “E kam nën vëzhgim, sepse e njoh shumë mirë dhe e di se çfarë mund të më japë. Natyrisht, ka pasur probleme fizike që e kanë ndaluar disi karrierën e tij, por tani është në rrugën e duhur për t’u rikuperuar dhe uroj që ta bëjë sa më shpejt. E ndjek me kënaqësi, pasi e kam pasur futbollist timin dhe e kam stërvitur. E di mjaft mirë se çfarë mund të më japë”.

Skema – Vajushi është lojtar krahu dhe skema e Panuçit është sidomos në krahë, por trajneri shpjegon se “nuk është çështje skeme por futbollistësh që ke në dispozicion dhe cilësitë e tyre tekniko-taktike. Natyrisht, skema mund të variojë”

Dyert e hapura – Një vëzhgim të qartë rreth të rinjve, sidomos te U-21, ku ka disa elementë të rëndësishëm dhe me të ardhme. Panuçi i monitoron dhe shprehet: “Po ndjek të gjithë, por në kombëtare, e kam thënë, dyert do të jenë e hapura. Nuk ka rëndësi se sa vjeç je, pra je i vogël në moshë. Nëse bën mirë dhe bie në sy, atëherë pse jo të mos grumbullohesh”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image