Panuçi, edhe sa do presim?

“Nuk bëmë asgjë, ishte faji im, por tani e tutje do sillem ndryshe me lojtarët”. Kështu tha në thelb Kristian Panuçi dje, pas humbjes ndaj Kosovës. Në fakt, duket sërish një justifikim, sepse duke pranuar që fajin e ka vetë, sërish ka fajësuar lojtarët.

Në fakt, lojtarët tanë nuk janë fenomenë, e dinë edhe vetë, por nuk mund t’i akuzosh për mungesë impenjimi e serioziteti. Edhe me De Biazin jepnin aq sa kishin mundësi, kishim ndonjë lider me shumë e fat më shumë.

Kishim edhe një ide të qartë loje, ama. De Biazi e dinte që më atë brumë nuk bënte dot Brazilin, ndaj bëri një Itali në miniaturë. Mbrojtje e hekurt, disiplinë, vrap dhe pak gola, aq sa duheshin.

Po tani? Panuçi thotë që mungon zjarri. Kaq, asgjë më shumë, a thua se po luftojmë me gjermanët. Zjarr mund të kesh sa të duash, Roshi për pak mori karton të kuq për disa ndërhyrje plot zjarr, por në fund diferencën e bën koka, përveç këmbëve. Qartësisht Shqipërisë së Panuçit i mungon koka, jo këmbët, as zjarri. Luajmë me skema të çoroditura, provojmë lojtarë pa kriter, disa i vendosim në role pa lidhje dhe ndërkohë trajneri justifikohet se nuk ka lojtarë. Shkon Selmani me urgjencë në kombëtare për të mos luajtur fare, por nuk ka vend as për Micin e as për Rrumbullakun, sa për të thënë ndonjë emër, kur kemi emergjencë në të majtë të mbrojtjes.

Po teoria e Panuçit për të grumbulluar lojtarë në vështirësi, si Aliji e Manaj? Për t’u dhënë një dorë, për t’u dhënë minuta. Dakord, por a nuk është rast identik ai i Mavrajt, që ka probleme me Hamburgun dhe nuk gjen më vend as në kombëtare, aty ku qendra e mbrojtjes dhe nuk shihte askënd dhe mund të kalonte edhe një elefant me finte?

Panuçi, po presim ende të shohim dorën tende. Deri tani nuk ekziston. Miqësoret deri para pak kohësh i fitonim, pavarësisht se e shënim De Biazin se vinte rezultatin para gjithçkaje. Të paktën bëhu si De Biazi, sepse përveç zjarrit, po mungojnë edhe shumë gjëra të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *