Panuçi bën bilancin: Në Antalia Shqipëria më kënaqi. Hysaj nuk luan në të majtë, Aliji më pëlqen shumë

Trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi, është paraqitur sot para gazetarëve në Tiranë, për të bërë një bilanc të punës në Turqi dhe miqësores në Antalia, ku fituam ndaj Turqisë. Për Panuçin nuk ishte prioritet fitorja, por e ka kënaqur mbi të gjithë sjellja e lojtarëve, sidomos në stërvitje. E ardhmja është pozitive, pasi priten afrime të reja, sipas tij, ndërkohë që shpjegon gjithë zgjedhjet e tij, nga Aliji, deri te paraqitja e lojtarëve të dëmtuar në kombëtare…

 …

Si ka ndryshuar Shqipëria, në krahasim me periudhën e De Biazit?

“Kemi ndryshuar diçka, sepse De Biazi kishte mënyrën e tij të të punuarit dhe unë kam idetë e mia. Uroj që të kem të njëjtat rezultati si De Biazi. Në pjesën e parë në Turqi luajtëm një futboll të shkëlqyer dhe morëm frytet e punës në Antalia. Në pjesën e parë luajtëm me shumë cilësi, ndërsa në të dytën vuajtëm, sepse mbetem me 10 lojtarë, por treguam karakter. Uroj që të ketë qenë karakteri që dua në çdo ndeshje. Në 9 ditët që kemi kaluar në Antalia futbollistët kanë qenë të jashtëzakonshëm. Rezultati ishte pasojë e punës që ata kryen.

Të rinjtë në kombëtare, si u paraqitën?

Qaka është një talent, jam shumë i kënaqur që e kam në ekip. Edhe Ajdareviç ka cilësi, e ka treguar edhe në Turqi. Të gjithë lojtarët e rinj që janë bërë pjesë e ekipit janë sjellë shumë mirë dhe jam i kënaqur me atë që kam parë në stërvitje.

Qaka e Ajdareviç, nga kush do të pasohen?

Grumbullimi në Turqi ishte shumë i rëndësishëm, pastaj do të grumbullohemi në mars. Po ndjekim 2-3 lojtarë, që mund të bëhen pjesë e kombëtares, tani kemi 6 muaj për të vëzhguar lojtarë të tjerë, për të kompletuar grupin që do të provojë të shkojë në Europian.

Përgatitja fizike në Turqi, shumë e fortë. Si ndihen lojtarët?

Si stërvitesh, ashtu edhe luan. Lojtarët duhet të kenë kulturën e punës. Nëse punon 50%, luan 50%. U bëra komplimente lojtarëve, sepse punuan fort, ndien dhimbje në muskuj dhe nëse ata e kuptojnë që si stërviten, ashtu duhet të luajnë, do të ecim përpara. Lojtarët besojnë tek ajo që unë u them, sepse kanë punuar shumë. Ndonjë lojtar ka thënë që i pëlqen mënyra si po punojmë dhe shpreson të vazhdojmë kështu. Besoj se u pa edhe ndaj Turqisë, edhe kur ishim me 10 lojtarë e treguan që nuk dëshironin të mundeshin, donin fitore. Përgatitja fizike është shumë e rëndësishme. Këtë radhë patëm mundësi të punonim, por problemi është e gjatë kualifikueseve nuk kemi shumë kohë, ndaj është e rëndësishme që të punojnë shumë në klube.

Agolli, a mund të pasohet nga Hysaj?

Hysaj mund të luajë edhen të majtë, por kam shumë besim tek Aliji, Lenjani e Memolla. Uroj që Aliji të gjejë ekip në janar. Nëse të gjithë “vdesin”, atëherë kemi edhe Veselin. Për mua Hysaj duhet të luajë në të majtë. Kjo nuk do të thotë që është i paprekshëm, sepse në kombëtare nuk ka asnjë lojtar të paprekshëm. Secili duhet ta meritojë çdo ndeshje vendin në formacion.

Ramadani dhe të rinjtë e tjerë nën vëzhgim, cilët mund të bëhen pjesë e kombëtares?

Është pjesë e grupit, lojtar cilësor, luan në Danimarkë, ku luhet futboll fizik. Ka edhe të rinj të tjerë që po i ndjek, por është më mirë që të mos them emra.

Aliji pa ekip, por në kombëtare.

Më duket shumë e çuditshme që është pa ekip. Unë e konsideroj të rëndësishëm, ndaj e grumbullova që të ketë një mundësi të jetë me ekipin, të stërvitet dhe të qëndrojë në ambient. Edhe nëse mbetet pa ekip pas janarit, do ta grumbulloj sërish në mars.

Të dëmtuarit që erdhën në kombëtare, mungesë besimi?

Para grumbullimeve ka rregulla: duhet të paraqitesh në kombëtare me një dokument ku të thuhet nga klubi se është i dëmtuar. Pastaj, mjeku i kombëtares e viziton dhe e rinis për në shtëpi. Basha erdhi sepse nuk nisi asnjë certifikatë. Nëse do ta lija pushim dhe ai të dielën do të luante, do të më telefononte trajneri i Empolit dhe do të më pyeste: Pse Veseli në kombëatre e Basha pushim? Për këtë arsye, Basha erdhi, ndenji 3 ditë me ne, nuk ishte mirë, Basha më siguroi që nuk do të luante me Barin dhe e nisëm në shtëpi. Mjeku i kombëtares tentoi të fliste me mjekun e Barit, por ishte e pamundur. Latifi: erdhi vetëm me një letër që duhet të qëndrojë tre javë pushim. Fola me lojtarin dhe më tha që është mirë. Kjo është diçka shumë serioze, në kombëtare duhet të vish për t’u vizituar, është urdhër i FIFA-s, jo i imi. Ka kontrolle, nuk mjafton një letër ku thuhet që duhet të pushosh tre javë. Strakosha erdhi, pati probleme pas pak ditësh, bëmë një ekografi dhe e nisëm për në shtëpi. Duhej të pushonte dy javë, Lacio e futi direkt, është problemi i tyre, ata rrezikojnë. I kam thënë skuadrës, kur dikush dëmtohet, vjen, vizitohet dhe kthehet në shtëpi. Ky quhet normalitet, nuk bën më askush si të dojë. Nuk e di e nuk më intereson si ka funksionuar më parë, ndoshta të dëmtuarit nuk vinin, ndoshta e zgjidhnin sipas dëshirës orarin e avionit, por unë nuk e lejoj. Duhen rregulla për të arritur rezultate, sepse edhe unë e kam të lehtë të vij, të marr pagën, të ulet e t’u jap disa jelekë lojtarëve, të bëjnë ç’të duan. Duhet respekt, për federatën dhe gjithë kombin.

Luajnë ata që preferon, apo ata që kanë më shumë minuta në këmbë në kampionatet e vet?

Shpresoj që lojtarët e mi të luajnë sa më shumë. Pastaj, është e qartë që kur grumbulloj 23 lojtarë, luajnë ata që kanë më shumë minuta në këmbë. Futbollistët këta janë, 67 po i provojmë dhe po ndryshojmë, por nuk është se kemi pafundësi lojtarësh. Edhe Sadiku nuk kishte luajtur shumë, por erdhi, punoi 9 ditë me ekipin dhe ishte shumë mirë. Pastaj, natyrisht nëse dy lojtarë janë në balotazh, luan ai që ka më shumë minuta në klubin e vet.

Agolli, është ende pjesë e kombëtares?

Kam folur me Ansin, e kam telefonuar, i kam thënë që në Europian do të jetë 37 vjeç e gjysmë, ndaj më duhet të shoh edhe disa lojtarë për të ardhmen. Ansin e njoh, nëse do të kem nevojë për të dhe do të jetë mirë, do të vijë, nuk më intereson mosha. Megjithatë, është e drejtë që unë të shoh lojtarë që mund të jenë të vlefshëm për të ardhmen. Më pas do të shohim, mund të dalin edhe të tjerë.

Nëse vuan Italia, po Shqipëria si do t’ia bëjë?

Italia nuk dëshiron t’i prodhojë talentet, nuk punon, sepse ka futbollistë pa fund. Te Shqipëria po mundohemi të zbulojmë sa më shumë lojtarë për të ardhmen. Besoj se mund të ndërtojmë një Shqipëri të bukur, bazën e kemi, do të ndjekim shumë lojtarë nëpër Europë.

A krijuat ndonjë ide cilët lojtarë meritojnë apo jo kombëtaren, pas miqësores së fundit?

E kanë në dorë lojtarët, nuk e bëj unë zgjedhjen finale. Nëse trajneri mendon se të gjithë janë shumë të nevojshëm, do të thotë që është një grup shumë i fortë lojtarësh. Qaka, për shembull, e ndiqja prej një muaji e gjysmë, kishte cilësi, por nuk ishte vënë re. E meitoi vetë grumbullimin, nuk e solla unë, kushedi sa mund të ketë si ai në qarkullim. Ajdareviç erdhi të hënën dhe punoi shumë, në fund të javës vraponte më shumë nga të gjithë. Hysaj është lojtar lider, por duhet të punojë, edhe më shumë se të tjerët, për të qenë shembull.

Mentaliteti në kombëtare.

Në këto 9 ditë që kemi kaluar në Antalia, kemi punuar shumë në çdo drejtim. Shpesh hedhja në fushë e kualiteteve ndryshon besimin te vetja. Kur ke në mesfushë lojtarë si Lilaj, Xhaka, Memushaj, kemi cilësi në mesfushë. Në sulm kemi Sadikun, Balajn, Cikalleshin, është një skuadër që dëshiron dhe di të luajë futboll. Pashë lojtarët që ishin të bindur për idetë që kemi në mendje dhe në vazhdim do të vijnë lojtarë të tjerë cilësorë, që e meritojnë të jenë në kombëtare dhe duhet të besojnë edhe më shumë te vetja. Dera është e hapur për të gjithë. Lilajn e pashë kur erdha, prita pak që ta shihja më shpesh dhe u binda që vlente për kombëtaren. Ndihmësi im Bulku më informon për gjithçka.

Miqësore në mars?

Kam refuzuar një alternativë, sepse dua një miqësore serioze. Dua që lojtarët të përgatiten mirë dhe do të bëjmë ftesë për 2-3 kombëtare që kam në mendje. Do të shohim ndërkohë edhe për lojtarë të tjerë, si do të reagojnë në miqësoren e ardhshme. Dua të kem përballë një kombëtare të fashës së dytë, jo ndër më të fortat në botë, por gjithashtu jo të dobëta.

A mund të provohen emra si Hoxhallari, apo Mici, që po luajnë rregullisht dhe presin një ftesë?

Unë preferoj Alijin, shpresoj që të gjejë ekip. Ka luajtur me De Biazin, para se të mbetej pa ekip. Më pëlqen Aliji, është zgjedhja ime. Dikujt i pëlqejnë brunet, disa biondet, ç’të bëj. Pasi e pashë Alijin të stërvitej, më pëlqeu edhe më shumë. Pasi bëj dashuri me një femër, më pëlqen edhe më shumë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *