Palaçollëk shqiptarësh, dorëhiqet Kostantinides

Qiprioti i bankinës kuqezi, teksa i ka kërkuar falje publikut dhe Austrisë për mungesën e FAIR-Play, nuk e ka pranuar turpërimin

Gjergj Vyshka

Shqipëri – Holandë 37-111
(16-14, 8-30, 5-35, 8-34)
Shqipëria: Strazimiri (3), Hysenagolli (2), Shima (6), Mozer (8), Bushati (6)/Merkaj (3), Kovaçi (6), Berdica (5), Vaqarri, Gjyzeli (1), Haruni Trajner: A.Kostantinides
Holanda: Janik (16), Uilliams (3), De Jong (6), Van der Mars (11), Norel (16)/Buknesht (8), Bradvijk (5), Shaftenar (10), Oudendag, Vorn (13), Kok (14), Slagter (9) Trajner: S.Van Der Host
Gjyqtarë: S.Mariçiç (Serbi), B.Krejiç (Slloveni), O.Jalman (Turqi)

Basketbolli shqiptar e ka mbyllur me një turp të madh pjesëmarrjen në raundin paraeliminator të Kampionatit Botëror “Kinë 2019”, ndërsa është mundur në fushën e vet me një diferencë prej 74 pikësh diferencë nga Holanda. Kaq ka mjaftuar që Kostantinides në fundin e ndeshjes, jo vetëm të mos takohet me lojtarët, por dhe të japi dorëheqjen e parevokueshme nga kombëtarja kuqezi. Sepse nuk mund ta mbajë turpin e mbrëmshëm, që në një farë mënyre duket se përgjegjësitë më të mëdha nisin nga ai.

Gjithsesi në fundin e ndeshjes për mediet ka treguar se ky ishte finishi i pjesës së karrierës me kombëtaren shqiptare. “Kjo ishte ndeshja ime e fundit – ka thënë Kostantinides – nëse problemi jam unë për ecjen përpara të kombëtares shqiptare po iki. Ata që mendojnë se mund të sjellin ndryshimin le të vijnë që nesër. Por ama duhet t’i kërkoj një falje të madhe publikut, si dhe Austrisë, për mungesën e Fair-Play. Sepse nuk mund të shtrëngoheshim aq shumë me Austrinë dhe më pas të bënim këtë shfaqje ndaj Holandës që vetëm basketboll nuk ishte. Dhe këtu nuk mund të diskutohet më për këtë ndeshje. Kështu që po largohem”.

E në fakt e djeshmja është një diskutim i gjerë për të gjithë basketbollin shqiptar. Që nga fakt që lojtarët nuk vijnë në kombëtare, që nga fakti nuk ka kushte për t’u stërvitur e për të luajtur normalisht me një sallë që është mbi 40 gradë celsius, që nga fakti që tashmë duket se i ka ardhur koha kombëtares për ndërrimin e brezave, apo dhe që nga fakti se më shumë diskutohet në facebook se sa në sallë e në parket. E për rrjedhojë bëjmë atë shfaqje që nuk i shkon për shtat kombëtares së basketbollit shqiptar. Specialistët e kanë quajtur tallje e Kostantinidesit ndaj basketbollit shqiptar me uljen e titullarëve dhe futjen në lojë të rezervave. Por më shumë është tallur qiprioti me lojtarët kur ka parë që basketbollistët vetë po tallen me gjithçka në parket, aq sa nuk arrijnë të bëjnë as koshin më të thjeshtë. Të tjerë e kanë cilësuar dhe mungesë FAIR-PLAY nga Holanda, që në fakt bëri mirë detyrën e saj për të fituar mbi 48 pikë diferencë për të kapur vendin e parë në grup. Sepse nuk mund të kuptohet ndryshimi rrënjësor nga perioda e parë e në vazhdim. Kemi fituar të parën 16-14, e më pas mundemi 8-30, 5-33, 8-34 dhe në fund 37-111. Holanda fitoi, ndërsa tifozët janë habitur me këtë mungesë dëshirë, apo mungesë gjaku për të dhënë gjithçka për fanellën kuqezi. Në fund të fundit Holanda mund të fitonte me të gjitha mënyrat, por kjo mungesë dinjiteti nuk i shkon Shqipëria, e cila për herë të fundit me shifra të tilla ishte mundur vjet nga Izraeli në miqësore, 45-110. Ndaj, as më pak e as më shumë, është palaçollëk shqiptarësh, ndërsa basketbolli vijon të lëngojë pa masë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *