Palaçollëk në Fier, Federata të imitojë UEFA-n!

Historia është e thjeshtë: klubet tona, ato të varfrat, duket se u vishen sytë sapo shohin kuotim në treg bastesh. Kalimi i ndeshjeve të hënën, i planifikuar, duke futur në lojë… “gripin”!

Ka ditë që shtypi i shkruar në Shqipëri e thotë, edhe hapur fare: Ndeshjet e shtyra në Kategorinë e Parë, me synimin për t’u luajtur nga e hëna deri të mërkurën, ka një prapaskenë shumë shqetësuese, trukimet. Dje në Fier ndodhi ajo që e prisnim pak a shumë të gjithë: Apolonia fitoi 5-1, 4 gola u shënuan pas minutës së 80-të, Apolonia para pak javësh shiti sulmuesin e saj më të mirë dhe golashënuesi më i mirë në ekip para ndeshjes së djeshme me zor i kishte shënuar 3 gola. Vetëm 23 gola në 14 ndeshje kishte shënuar Apolonia deri tani, sulmuesi i tretë më i mirë i grupit B, por sigurisht jo i tillë që ndeshja e djeshme të kthehej në ndonjë Skënderbeu-Mamurrasi në kupë.

KUOTAT E FRIKSHME – Dy orë para ndeshjes, në tregun ndërkombëtar të basteve, Azi e Europë, u shfaqën kuotat që shihnin favorite Apoloninë, në një sfidë ku priteshin gola. Gjithsesi, fillimisht kuotat ishin normale, por me kalimin e kohës paratë e hedhura pro Apolonisë, fitores me 3 gola diferencë dhe që do shënoheshin 4 gola e lart u shtuan aq shumë, saqë kompanitë e basteve ulën ndjeshëm kuotat dhe ndryshuan edhe linjat aziatike të basteve. Gjithçka për të frenuar humbjet, pasi u pa qartë që pa nisur ndeshja: Apolonia do të fitonte me disa gola diferencë dhe do të shënoheshin të paktën 4 gola në ndeshje. Edhe pas rezultatit 1-0, edhe në pushim të ndeshjes, kuotat nuk lëviznin (shihni foton poshtë: 1.36 kuota që do shënoheshin edhe 3 gola në pjesën e dytë), ndërsa afrikani Ejo i Turbinës pas një ore loje shënoi pa dashje, ndoshta nuk i tha askush gjë. Për pasojë, duheshin edhe nja 3-4 gola të tjerë nga Apolonia. Përfundimin e dini, 4 gola pas minutës së 80-të.

RASTËSI? – Nuk po akuzojmë as Apoloninë e as Turbinën, hetimin ka për detyrë ta bëjë FSHF-ja dhe organet e saj. Në të shkuarën janë dhënë ca vendime qesharake, janë dënuar disa portierë, është dënuar edhe Ilion Lika për një ndeshje ku nuk ishte as në stol, ndaj nëse bëhet fjalë për të vepruar, duhet kapur më thellë problemi. Këto ndeshje, luajtur të hënën, me kuota të tilla skandaloze, me Apoloninë që edhe në minutën e 79-të kuotohet 1.15, sikur Barcelona të kishte zbritur në Fier, tregojnë që ka pasur trukim, e thënë troç. Kush nuk e sheh, ose nuk merr vesh fare nga futbolli dhe bastet, ose nuk dëshiron të marrë vesh, sepse ashtu i leverdis.

FSHF LEJON TË PRISHET KAMPIONATI – Kanë mbetur vetëm 3 javë nga përfundimi i kampionatit në Kategorinë e Parë, para se të nisë faza play-off. Është një fund i nxehtë, sepse luftohet për një vend në 5-shen e parë, që eviton ndeshjet e rënies nga kategoria, ndaj logjika thotë që duhet të luhet në një ditë e një orar. FSHF jo vetëm që nuk e respekton këtë rregull, por e shkel turpshëm, duke pranuar kërkesat qesharake të klubeve. Diku sëmuren 10 lojtarë, diku helmohen, diku plas gripi i derrit e diku lojtarëve u vjen gjumë. A mund të tolerohen këto gjëra? Ndodh te ne, ashtu si ndodh që Shënkolli-Bylis nuk luhet prej kohësh dhe në mënyrë absurde shtyhet nga java në javë. Gjithçka zgjidhej fare lehtë: Nuk shtyhet asnjë ndeshje, Shënkolli-Bylis luhet që në janar, 4 ditë para rifillimit të kampionatit, ndërsa justifikimet e sëmundjeve nuk mund të pranohen më. Tani kaosi nisi: FSHF duhet të imitojë UEFA-n, që e përjashtoi Skënderbeun pa asnjë provë, vetëm me kuota. Nëse FSHF dënoi Tërbunin e Bylisin për një estradë në Pukë para pak vitesh, nuk ka arsye pse të mos veprojë me dorë të fortë edhe tani. Jemi në 2018, ende do vazhdojmë me këto ndeshje të turpshme, ku ata pak tifozë që shkojnë në stadium ndihen si idiotë?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *