Pakult: Urime Skënderbeut, por nuk shkojmë për festë

Kukësi viziton Skënderbeun të dielën dhe është sfidë e veçantë për gjithë Korçën, sepse titulli mund të festohet që këtë fundjavë dhe mbi të gjitha kundër rivalit që sipas korçarëve u vodhi titullin sezonin e shkuar, në ndeshjen e famshme ku arbitër ishte Enea Jorgji, në fund të sezonit.

Trajneri i Kukësit, Peter Pakult, ka folur sot në konferencën e zakonshme për shtyp para sfidës së fundjavës, duke u ndalur te ndeshja, por edhe te formacioni, si dhe krahasimi i dy yjeve të sulmit, Soue e Guri.

“Duam të shtyjmë festën e Skënderbeut, edhe pse e ka merituar plotësisht këtë sezon. Na duhen ende disa pikë dhe shpresoj t’i marrim. Të dielën nuk do shkojmë në Korçë për t’i uruar titullin Skënderbeut, por për t’i shtyrë festën. Duhet të rikthehemi te loja që kemi bërë në muajt e parë të vitit, me shumë pasime. E uroj Dajën për titullin, sepse nuk do ta humbasin, por nuk shkojmë në Korçë për të marrë pjesë në festën e tyre.

Dëmtimet – “Kemi pasur mungesa si Shameti dhe Dzaria, që kishte probleme. Rrumbullaku po stërvitet me ekipin, por kemi treguar se edhe lojtarët që kanë zëvendësuar, kanë bërë shumë mirë.

Koliçi – “Do jetë i dobishëm sezonin tjetër, pa asnjë dyshim. Në një moment mora një vendim që më takon mua. Për fat të mirë, zëvendësimi që bëra në portë ishte pozitiv, por jam i lumtur që kam Frashërin dhe Koliçin në skuadër, pasi janë shumë të mirë të dy. Nuk kam marrë vendim kundër Koliçit, por kam bërë diçka për të mirën e ekipit”.

Soue dhe Guri – “Të dy janë shumë të mirë dhe të sigurt me topin, kanë shumë nuhatje të dy. Guri ka përparësi më tepër në zonën brenda, pasi lëviz më shumë dhe bën gjëra të papritura, si golat me Luftëtarin apo me Flamurtarin. E nxjerr golin nga hiçi. Soue shënoi dy gola në Kukës, ku i pari ishte me një lëvizje shumë të bukur. Një sulmues si Soue çdo trajner do ta donte në ekipin e tij”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *