Pakult: Penalltia? Vendim skandaloz, më kënaq dhe kjo pikë

Trajneri i Kukësit, Peter Pakult, shprehet i lumtur që skuadra e tij arriti të merrte një pikë me shumë vlerë nga fusha e vështirë e Laçit. Austriaku nuk la jashtë vëmendjes dhe rastin e penalltisë, duke e konsideruar një rast skandaloz, pasi gjyqtari Meta ishte shumë pranë.

“I kishim 3 raste të pastra në pjesën e parë dhe nëse do shënonim do ishte një ndeshje ndryshe, pasi kundërshtarit do i duhej të reagonte. Nuk ndodhi dhe gjërat shkuan kështu”.

“Mendoj se nuk ka çfarë të flitet dhe arbitri është vetëm 5 metra. Është skandaloze si nuk e jep 11-metërshin. Për këtë ndeshje nuk doja të flisja për gjykimin, por për rastin e Gurit nuk e kuptoj pse nuk e akordoi”.

“Është fakt që nuk pësuam. Në pjesën e parë nëse do shënonim na priste një ndeshje tjetër. Në pjesën e dytë kundërshtari pati rastet e tij, por për fatin tonë të mirë nuk u ndëshkua. Lojtarët tonë në sulm duhet të bëjnë më tepër në momentin e fundit, sidomos në ndeshjet që na kanë mbetur për të arritur atë objektiv që kemi. Edhe sot kishim mungesa, pasi nuk kishim Rrumbullakun dhe Shametin që janë lojtar shumë të rëndësishëm për ne. Kemi pasur probleme me dëmtimet këto kohë, por deri në fund them se do ndryshojnë gjërat dhe do jemi më mirë. Kemi punuar shumë për të arritur në këtë pozitë ku jemi në klasifikim dhe do vijojmë të punojmë për të arritur qëllimin që kemi”.

“Nga ekipi kampion do ju kisha pyetur sa lojtarë janë sot në skuadër nga edicioni i shkuar. Jam një trajner që i pranoj dhe kritikat, por duhet të jemi të drejtë. Në janar mora një skuadër që ishte në vendin e 4-të, tre pikë pas Flamurtarit, ndërsa tani jemi në vendin e dytë. Kemi pasur shumë dëmtime dhe po mundohemi të marrim maksimumin deri në fund. Të gjithë e dimë se në Laç nuk është e lehtë të luash, pasi kundërshtari bën presion në fushë, është agresiv dhe me pikën që morëm do shohim në xhirot e ardhshme. Duhet theksuar se me shumë kënaqësi do kisha marrë dhe tre pikët, por do kënaqem me një pikë. Në futboll nuk të plotësohen gjithnjë dëshirat”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *