Pakult: Duroni, Guardiolës iu desh një vit për sukses

Trajneri i Kukësit: Me Gjicin gjërat shkojnë mirë, preferoj që të ndeshem me një kundërshtar që e ka skuadrën e plotë. Skënderbeu nuk më intereson shumë

Jurgen Zela

Peter Pakult vijon punën i qetë në drejtimin e Kukësit. Fitorja me Tiranën i dha një biletë për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, ndaj mund të konsiderohet brenda objektivave. Nga humbja me Kamzën në shtëpi, te fitorja me Tiranën të Kupë dhe tani te përballja me Partizanin, një javë e ndërlikuar, por që nuk e ka prishur aspak qetësinë. Austriaku do të tentojë të rikthehet te fitorja në kampionat pas dy takimeve në shtëpi, ku nuk i gëzoi tifozët e tij. Në konferencën e zakonshme për shtyp ka folur për takimin me demat, por jo vetëm. Ai ka analizuar situata në skuadër, raportet me presidentin dhe objektivat, por nuk ka preferuar që të flasë për çështjen “Skënderbeu”.

Në kampionat vini nga humbja me Kamzën, si e prisni një ndeshje direkte me një rival si Partizani?

Unë shoh rezultatin e fundit dhe ndeshja e fundit ishte me Tiranën. Me fitoren që arritëm na është rikthyer vetëbesimi. Jemi mjaft të përqendruar që të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të arrijmë fitoren. Të gjithë e dimë se Partizani është një skuadër shumë e mirë dhe është e vështirë që t’i mundësh në fushën e tyre. Ne do të bëjmë maksimumin për të marrë fitoren.

Ju jep garanci dyshja Hoxha-Musolli?

Të them të drejtën nuk kemi shumë alternativa. Musolli ka 3-4 ndeshje në atë pozicion dhe është përshtatur mjaft mirë. Edhe Hoxha në ndeshjen e fundit me Tiranën ka bërë shumë mirë.

Pas ndeshjes me Tiranën thatë se po vuani në sulm, besoni se jeni përmirësuar?

Kemi punuar këto ditë në stërvitje që të shënojmë dhe me lojtarë të tjerë. Bakaj dhe Guri po bëjnë mjaft mirë. Besoj se do të rritet niveli i sulmuesve akoma më shumë, por kam besim se do shënojnë edhe lojtarët e tjerë.

Si e shihni luftën për një vend në Kupat e Europës, duke parë që janë shumë skuadra në garë?

Nuk jam një trajner që shoh shumë larg. Kam dëshirë që skuadra të marrë pikë nga ndeshja në ndeshje dhe shpresoj që të sigurojmë një vend në Kupat e Europës. Kemi kualitet për të marrë pikët për të arritur aty ku dëshirojmë.

Keni biseduar me presidentin Gjici, ju ka bërë ndonjë kërkesë sa i përket objektivave tani?

Kemi shumë takime me presidentin. Bëjmë diskutime të shumta si staf për skuadrën. Përderisa jemi në një raport shumë të mirë gjithçka është në rregull.

I qëndroni asaj që skuadra fituese nuk ndryshon?

Unë e thyem që ekipi që fiton nuk ndryshon, por kemi një takim krejt tjetër me Partizanin dhe mund të them vetëm që do e nisim ndeshjen me 11 lojtarë.

Kundërshtari ka shumë mungesa, sa ju favorizon në këtë pikë?

Çdo ekip i ka lojtarët e tij. Gabimi i parë do të ishte nëse do të nënvlerësojmë Partizanin. E dimë se për çfarë ekipi bëhet fjalë dhe ata kanë lojtarë mjaftueshëm. Gjatë karrierës kam pasur ndeshje të tillë, ku kundërshtari ka pasur shumë mungesa. Ju sugjeroj lojtarëve që të mos nënvlerësojnë pasi është diçka e gabuar. Ne në futboll e dimë se një lojtari që mund të ketë shansin e tij për të luajtur, jep më të mirën e tij, që t’i tregojë trajnerit se gabon që nuk e aktivizon. Personalisht preferoj që të ndeshem ndaj një kundërshtari që e ka skuadrën e plotë, sepse e përgatit ndeshjen ndryshe, ndërsa kështu mund të ketë befasi nga ana e tyre.

Pas katër ndeshjesh nën drejtimin e Kukësit, jeni të kënaqur me ekipin?

Të them të drejtën jam në një kohë të shkurtër për të marrë më të mirën e lojtarëve këtu. Guardiolës pas një viti nisën që t’i shkojnë gjërat siç do ai. Kemi bërë ndeshje të mira. Skuadrës i nevojitet kohë që të përshtat plotësisht me filozofinë time. Dëmtimet e papritura për një trajner janë sfida si do të jenë për të ardhmen.

Ju ka mbetur peng që nuk afruat dhe një qendërmbrojtës?

Tani është e lehtë të flasësh. Para tre javësh nuk e prinim që të na dëmtoheshin të dy qendërmbrojtësit. Tani nuk mund të reagojmë, do vazhdojmë kështu si jemi. Ekipi është aty dhe nëse do e kishim organikën e plotë do të ishim akoma më të fortë.

Si është gjendja e Baldesë?

Balde sa i përket gjendjes fizike është mbrapa me ekipin. Po stërvitet shumë dhe nga dita në ditë presim që të rritet akoma dhe më shumë. Kush e ka ndjekur situatën e tij e di se nuk ka luajtur shumë. Në këtë situatë ndodhet. Shpresoj që ai me këtë stërvitje të kapë ritmin dhe të ketë më shumë minuta.

Skënderbeu mund të dënohet, do të ishte një “asist” për ju që të shkonit në Champions përmes vendit të dytë?

Nuk më intereson kjo gjë, pasi nuk e kemi në dorë ne. Ne duhet të merremi me ekipin tonë, që të fitojmë sa më shumë ndeshje. Nuk na takojnë ne gjërat e tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *