Paketa nuk mjafton, Leonardo gati dy dhurata për Gatuzon

0

Leonardo dhe Paolo Maldini e dinë mirë që ardhja e Lukas Paketës nuk i zgjidh të gjithë hallet e ekipit të Gatuzos. Milani kërkon me çdo mënyrë rikthimin në Champions dhe ka nevojë për të tjera përforcime. Gjatë prezantimit të brazilianit, Leonardo u shpreh qartë që koha po kalon dhe drejtuesit e Milanit e kanë të vështirë të përforcojnë ekipin, pasi kanë vetëm një armë në dorë: huazim lojtarësh me të drejtë blerje në fund të sezonit.

Megjithatë, ai dhe Maldini po punojnë në dy pista: një mesfushor dhe një lojtar ofensiv. Flasim për Stefano Sensin, 23-vjeçarin e Sasuolos dhe Janik Karrasko, 25-vjeçarin e Dalian Jifang. Nga ana tjetër, sot kanë dalë lajmet e kalimit të Gonzalo Higuain drejt Çelsit. Argjentinasi po mendon bashkimin me Sarrin, me të cilin kanë punuar dhe kaluar shumë mirë te Napoli.

Tratativa është e komplikuar, pasi në mes është dhe Juventusi, që zotëron kartonin e lojtarit. Nëse Pipita largohet, Milani do të niste ofensivën për sigurimin e njërit midis Alvaro Moratës dhe Kristof Piatek. I pari është pranë arritjes së akordit me Seviljen, ndërsa garës i është bashkuar dhe Atletiko e Madridit. Sa i përket sulmuesit polak, Piatek ka oferta të shumta dhe nuk do të jetë aspak e thjeshtë për t’ia shkëputur Xhenoas në këto momente.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.