Pagesa për Sala, Dalman: Kardifi, klub i ndershëm! Ju lutem prisni!

Nanta dhe Kardifi duhet të zgjidhin çështjen e transferimit të Emiliano Sala, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta për shkak të një aksidenti ajror që pësoi gjatë fluturimit të tij nga Franca drejt Anglisë. Klubi i Ligue 1 pret që të përfitojë 15 milionë sterlinat në bazë të marrëveshjes mes palëve dhe klubi uellsian nuk e kundërshton diçka të tillë, por kërkon kohë që të sqarohen disa çështje në lidhje me kontratën.

Kreu i klubit të Kardifit, Mehmet Dalman, ka qenë i qartë: “Sigurisht, nëse jemi të detyruar me kontratë t’i paguajmë ata, do ta bëjmë diçka të tillë. Ne jemi një klub i nderuar. Por nëse nuk jemi të detyruar – dhe ka disa paqartësi në këtë çështje – atëherë sigurisht do të prisni që unë si kryetar i këtij klubi dhe mbrojtës i interesave të tij, të mbaj pozicion e klubit. Kjo është ajo çfarë po bëjmë”.

Dalman kërkon kohë që gjithçka të sqarohet dhe beson se do ta gjejnë gjuhën e përbashkët me Nantën. “Jemi ende në procesin e grumbullimit të informacionit dhe ky proces do vazhdojë. Dhe kur të arrijmë të sigurojmë nivelin e mjaftueshëm të informacionit, jam i sigurt që do të ulemi me Nantën dhe do t’i japim drejtim kësaj çështjeje.

“Nanta ka kërkuar paratë që beson se i takojnë. Ekziston një proces dhe ata e kanë nisur këtë proces”, shtoi ai. “Ajo që ne po themi është se nuk jemi pjesë e këtij procesi dhe nuk jemi dakord, për shkak të ngjarjeve të jashtëzakonshme dhe rrethanave tragjike. Ne nuk po lëshojmë deklarata pozitive apo negative. Ne thjesht po themi, që ju lutemi të kuptoni se ka shumë pyetje të cilat kanë nevojë për përgjigje. Kjo është ajo që po përpiqemi të bëjmë”, ka përfunduar kreu i klubit të Kardifit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *