Padrejtësi te Tirana? Daja ka një mesazh për trajnerin

Asion Daja ishte autori i një goli fantastik në takimin e sotëm ku Tirana mposhti Luftëtarin me shifrat 5 – 3 dhe siguroi biletën për në finalen e Kupës së Shqipërisë.

Në intervistën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”, mesfushori kryeqytetas foli për ecurinë e ekipit, ndërsa në një moment lëshoi dhe një mesazh për trajnerin Mema në lidhje me minutat e pakta që ai ka marrë gjatë muajve të fundit duke thënë: Jam aktivizuar pak këto kohët e fundit, koha do e tregojë nëse ka qenë e drejtë ose e padrejtë .

GOLI “Është një ndjesi e veçantë kur shënon dhe shkon në finale. Plus që dhe goli ishte shumë i bukur, nuk e prisja të shënoja në atë mënyrë”.

ECURIA “Ne i kemi parë këto ndeshjet e fundit si ndeshje radhe. Fituam me Korçën këtu, tani arritëm dhe finalen. Tani po shohim derbin, nga sot po mendojmë për Partizanin. Derbi është fryrë shumë, por është vetëm një ndeshje, ku ne do të synojmë tri pikët”.

LOJA “Edhe unë personalisht, loja nuk më pëlqeu shumë. Shënuam nga shumë lojtarë, loja pati rrjedhshmëri, bëmë mirë në sulm. Por ishim të vrazhdë në mbrojtje dhe jam dakord me pakënaqësitë e trajnerit”.

DEDIKIMI “Në radhë të parë, doja të tregoja që golin ia dedikoj Ilionit (Likës). Ai më ka qëndruar pranë gjatë gjithë kohës kur nuk kam luajtur, koha do e tregojë me të drejtë a të padrejtë. Edhe sot më tha që do të shënoj, madje me shaka më tha që do shënoj me roveshatë. Prandaj ia dedikova atij golin”.

SEZONI Gjatë gjithë sezonit, kemi bërë shumë, por ende asgjë. Kemi arritur në finale, por nëse nuk fitojmë, është një asgjë. Edhe në kampionat, duhet të fitojmë këto dy ndeshje dhe të jemi rehat. Kemi qenë në presion, kemi marrë gola në fund gjatë gjithë sezonit dhe kjo gjë vjen nga presioni i tepërt”.

DERBI “Partizani e meriton të jetë aty ku është, por në derbi nga vetë klasifikimi, ne e kemi më të nevojshme fitoren. Pastaj rezultatin e di Zoti, ne duhet të bëjmë maksimumin. Duhet të rikuperojmë gabimet dhe nuk besoj se Partizani, por asnjë ekip tjetër, të na falë ndeshjen”, përfundoi Daja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *