Pa trajner e pa plan, Tomorin e pret edhe një gjyq

Katër humbje në 5 ndeshjet e fundit, 4 pikë larg vendit të pestë me 4 ndeshje të mbetura nga faza e parë dhe një situatë kaotike në aspektin financiar: fundi i vitit ka qenë një dramë e vërtetë te Tomori, që në fakt po korr atë që ka mbjellur.

Që në verë u pa qartë që klubi po menaxhohej në mënyrë skandaloze, me largimin e trajnerit Gersi Arbri sapo nisi kampionati dhe ndërtimin e një skuadre në mënyrë absurde, duke afruar lojtarë të panjohur nga jashtë, pa u garantuar kushtet më minimale të jetesës atyre dhe jabanxhinjve të mbledhur anembanë Shqipërisë.

GJYQ ME FIFA-n – Një skuadër e ndërtuar pa plan e pa asnjë strategji, ndërsa gjatë rrugës i dolën petët lakrorit, sepse nisën gjobat, vonesat në paga dhe arratisjet, si ajo e mbrojtësit brazilian Jean Lacerda.

Ky i fundit iku në tetor, për shkak se nuk duroi më të jetonte në kushtet e tmerrshme në stadiumin e Beratit, ndërkohë që tashmë po përgatit dosjen për në FIFA, ku do të kërkojë tërheqjen e dokumentacionit (Tomori refuzon t’ia japë), si dhe do të kërkojë dëmshpërblim financiar për mashtrimin me kontratën, ku nuk i kishin treguar se paga pëfshinte akomodimin në stadium, se klubi i prishte kontratën kur të donte nëse dëmtohej dhe ku thuhej se klubi kishte të drejtë ta gjobiste sa herë të dëshironte, nëse mendonte se lojtari nuk ishte perfekt në fushë.

Kontrata tipike shqiptare, që FSHF nuk i ndëshkon sepse është vetë deri në fyt me këto allishverishe, por FIFA nuk do ta kalojë kaq lehtë dhe Tomori nuk e ka për herë të parë që dënohet nga qeveria botërore e futbollit.

TRAJNERI I RI – Shkurt, nuk ekziston  asnjë plan! Bledar Devolli dha dorëheqjen javën e shkuar dhe është përcjellë me vlerësime maksimale për punën e zhvilluar, pasi në Berat dështimin më së shumti ia faturojnë klubit.

Për momentin klubi është në mes dilemave nëse skuadrën do t’ia besojë një tekniku beratas, ku emrat më të përfolur dhe kandidatët potencialë janë Kristaq Mile, Santiliano Dule, Gersi Arbëri dhe Madrid Muxhaj. E sigurt është se minifaza dimërore do të drejtohet nga tekniku i ri, që për momentin nuk ekziston as si ide.

Edi Spahiu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *