Pa limit Flamurtari, magjike Elektra Zykaj

0

Elton Nika

Apolonia – Flamurtari 74-121
(25-29, 15-29, 13-34, 21-29)
Apolonia: Iljazi, Beqaj, Braja, Çuko, Demiraj, Tahiraj, Velias, Hyska, Lolaj, Kasaj Trajnere: H.Çuko
Flamurtari: Myrto, Zykaj, Bleta, Lloi, Rrapaj, Palko, Hasanaj, Plasa, Hysaj, Kostallari, Marjanoviç, Korto Trajner: V.Toska
Gjyqtarë: E.Hoxhaj (Vlorë), F.Jaçe (Tiranë)
Flamurtari dhe Elektra Zykaj, që dje ka vendosur rekordin më të ri të kampionatit, teksa ka shënuar 79 pikë, ndërsa i ka shoqëruar dhe me tetë trepikësha, kanë qenë pa limit në përballjen me Apoloninë. Një ndeshje, e cila nuk ka pasur fare histori, ndërsa mund të quhet me rivalitet vetëm perioda e parë, të cilën Flamurtari e ka fituar 29-25. Më pas Flamurtari dhe Zykaj krijojnë diferencën e duhur për të marrë fitoren e kësaj ndeshje duke triumfuar pa shumë vështirësi ndaj Apolonisë. Fieraket, me vajza të reja, e kanë pasur të vështirë për të rivalizuar. 29-15 perioda e dytë për Flamurtarin dhe në pushim 58-40 për kampionet në fuqi. 34-13 e treta dhe totali shkon 92-53. 29-21 e fundi shënon një fitore me një diferencë prej 47 pikësh për vlonjatet, 121-74. Kishte gati pesëmbëdhjetë vjet, të paktën sipas statistikave të trajnerit të Flamurtarit, Viron Toska, që një lojtare nuk shënon mbi 70 pikë në ndeshje. “E fundit – thotë ai për Sport Ekspres – ka qenë Përmeti në një Kupë Shqipërie, teksa ishte lojtare e Studentit, ndërsa ka realizuar 75 a 76 pikë. Zykaj është rekordi më i ri i kampionatit dhe me shumë meritë”. E kështu Flamurtari hyn në histori së bashku me Zykajn, kurse basketbolli shqiptar, me këtë çarje të madhe të koshave, të paktën deri në play-off është bërë krejtësisht pa shije.

Rekordmenia Zykaj: Ky
është sinjal për rivalët

79 pikë në një ndeshje të vetme. Kjo është Elektra Zykaj, e cila e vetme ka mundur Apoloninë dje në Vlorë, ndërsa është një rekord më vete për basketbollin shqiptar. Një rekord që ndoshta do të duhet shumë kohë për t’u thyer, kurse Zykaj, në intervistën e saj për Sport Ekspres, pranon që ndihet e emocionuar për një rekord të tillë. Dhe për këtë ka falënderuar skuadrën, e cila e ka ndihmuar në realizimin e këtyre pikëve, sepse janë më së shumti 8 trepikësha, që bëjnë 24 pikë, dhe gati 27 dypikësha për të shkuar në total në 79 pikë në lojë. Ja dhe intervista e saj për Sport Ekspres.
Zykaj 79 pikë të shënuara në një ndeshje, një rekord më vete…
Në fakt ndihem pak e emocionuar që kam arritur të shënoj kaq shumë pikë dhe të vendos një rekord të tillë për basketbollin e femrave në Shqipëri. Por dua të falënderoj të gjithë shoqet e ekipit që më ndihmuan, sepse ishte loja e skuadrës e cila më çoi në këtë rekord për basketbollin e femrave. Në fakt është një ndeshje e veçantë, të cilën kur e rikujton më bën të ndihe mirë dhe e vlerësuar. Mbi të gjitha emocionuar që kam shënuar 79 pikë.
Duket sikur ndeshja ka qenë Zykaj-Apolonia, e jo Flamurtari-Apolonia siç ishte në kalendar…
Edhe shoqet e skuadrës pas ndeshjes të njëjtën gjë më thanë që ka fituar Zykaj përballë Apolonisë. Por padyshim që ishte rrjedhë e lojës dhe të shënosh 121 pikë si skuadër në një ndeshje nuk është pak. Edhe kur nuk kam luajtur kam parë që skuadra dhe kundërshtari kanë zhvilluar një lojë shumë të mirë. Ky është një rekord dhe mbetet i tillë. Ndoshta në të ardhmen do të dalë dikush që do ta thyejë. Megjithatë e pranoj se më vjen mirë dhe shpresoj të qëndrojë sa më gjatë si rekord.
Do të kemi ndonjë rekord tjetër më vonë?
Nuk e di, të shohim. Rekordet prandaj janë bërë për t’u thyer. Unë jam e kënaqur që kam shënuar kaq shumë pikë në një ndeshje të vetme. Rekorde të tjera? Nuk e di, të shohim në vazhdimësi. E rëndësishme mbetet që skuadra të fitojë dhe të arrijë qëllimet, sepse edhe rekordet vlejnë për objektivat.
Si e shihni sivjet luftën për titull kampion?
Si zakonisht në luftë për titull kampion kanë qenë gjithnjë dy apo tre skuadra, të cilat kanë luftuar deri në fund. Këtë vit rritet vështirësia, sepse ne jemi në vendin e tretë, ndërsa skuadrat e tjera janë përforcuar. Por shpresoj se ky rekord i imi me 79 pikë të shënuara në një ndeshje të jetë një ogur i mirë për të fituar titullin kampion përsëri në këtë sezon.
Tre skuadra do të luftojnë deri në fund për titull?
Po padyshim, ne jemi në një pozicion në renditje jo siç jemi mësuar vitet e kaluara. Por kjo nuk ka asnjë lloj rëndësie. Flamurtari është një skuadër që ka treguar se di të fitojë dhe në fushat kundërshtare dhe këtë do ta tregojmë edhe në këtë sezon. Ka akoma ndeshje përpara dhe me skuadrat rivale për titull kemi ende për të luajtur. Si me Tiranën, ashtu dhe me Goga Basket. Rivalët janë përforcuar, por kjo nuk na frikëson. Përkundrazi na motivon më shumë. Sot i gëzohem rekordit të shënuar, por dhe pikëve të skuadrës. Sepse ky është një sinjal për rivalët, apo jo?!

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here