Pa futboll e pa fat, Spanja eliminohet nga Rusia!

Spanja kthehet në shtëpi. Ashtu si Portugalia e Ronaldos, ashtu si Argjentina e Mesit. Një goditje shumë e rëndë për iberikët, që janë mundur me penallti nga një Rusi luftarake dhe që nuk ndryshoi kurrë plan.

Shënoi shpejt Spanja, me një autogol rus, dhe u duk se do ishte një shëtitje. Nuk ishte ashtu, sepse pak nga pak Rusia fitoi besim dhe në fund të pjesës së parë gjeti barazimin, me penallti.

Në pjesën e dytë shumë zotërim topi e shumë pak raste për Spanjën, që nuk kishte asnjë plan B për të depërtuar në zonën ruse.

Portieri Akinfeev ishte perfekt, si në fund të 90 minutave, ashtu edhe në shtesa, ndërsa nuk u duk më asnjë gol.

Në fund, nga pika e bardhë, Rusia perfekte dhe Spanja jo. Dy penallti të humbura, super Akinfeev dhe Spanja kthehet në shtëpi, me lot në sy.

SPANJË – RUSI 4-5 (1-1 120 minuta)

Shënues: Ignasheviç 11′ aut. / Xjuba 41′ pen.

HUMBET! Jago Aspas gabon, Akinfeev perfekt dhe Rusia kualifikohet!

Çerishev gol, 3-4

Ramos gol. 3-3.

Golovin gol, 2-3.

HUMBET! Koke gjuan dhe pret Akinfeev. 2-2.

Ignasheviç gol, 2-2.

Pike gol, 2-1.

Smolov gol, 1-1.

Iniesta gol, 1-0.

 

120’+1 MBYLLET NDESHJA, PA FITUES. PENALLTITË DO TË VENDOSIN!

115′ VAR NË LOJË, SPANJA KËRKOI PENALLTI! U rrëzuan Sergio Ramos e Pike në zonën ruse, por nuk ka penallti!

109′ SPANJA PRANË GOLIT! Rodrigo depërton nga e djathta e sulmit, godet fort dhe Akinfeev grushton. Topi në qendër të zonës, ku gjuan Karvahal, por një mbrojtës rus devijon me trup. Me fat Rusia!

15′ ASNJË GOL E ASNJË RAST. Ikin 15 minutat e para të shtesës, Rusia po shkon drejt objektivit madhor, penalltive.

90′ Ndeshja më e lehtë në letër në këtë tur ka rezultuar minë me sahat për Spanjën. Do të kemi shtesa mes Spanjës e Rusisë, në një ndeshje ku sulmet spanjolle janë ndalur në murin mbrojtës të Rusisë, ose edhe nga portieri Akinfeev. Spanjë e ngadaltë, pa ide, aq sa duket sikur të dyja palët presin penalltitë.

85′ AKINFEEV HEROIK! Dy herë rresht, portieri rus shmang golin, fillimisht nga një gjuajtje nga distanca e Iniestës dhe më pas diagonalja e Aspas.

75′ Ritëm breshke, Spanja nuk e ka idenë si ta çajë murin rus. E njëjta histori si në Spanjë-Iran dhe Spanjë-Marok.

60′ Spanja vijon të ushtrojë presion, por pa e pasur idenë si ta çojë topin në zonë, te Diego Kosta. Rusia fut Samedov dhe Çerishev, stadiumi shpërthen në ovacione. Rusët besojnë te kualifikimi!

50′ Spanja zotëron lojën, por është një betejë taktike, me Rusinë që mbrohet shumë mirë dhe del mirë në kundërsulm.

PUSHIMI I NDESHJES – Ndeshje aspak e bukur për t’u parë në periudha të caktuara, por në futboll goli është gjithçka dhe në 45 minutat e para u shënuan 2 të tillë. Rusia fali një gol, duke shënuar në portën e vet, Spanja fali një gol, me Pikenë që shkaktoi një penallti absurde. Në këtë mënyrë, ndeshja bëhet interesante dhe Spanja po e kupton që nuk është aq e lehtë sa e mendonte.

 

41′ GOL RUSIA! Penallti perfekte nga sulmuesi kryesor rus Xjuba, Rusia barazon me goditjen e parë në kuadrat!

40′ PENALLTI PËR RUSINË! Kros në zonë, një goditje me kokë ndalet nga dora e Pikesë. Penallti neto, proteston kot Pike, edhe pse e ndali topin pa dashje!

36′ RUSIA PRANË GOLIT! Vjen mundësia e artë e Rusisë, Golovin nga jashtë zone gjuan shumë bukur, por topi del jashtë. Stadiumi për pak sa nuk shpërthen në festë!

30′ Ndeshje e çuditshme: Rusia ka shënuar në portën e vet, Spanja nuk e ka gjuajtur asnjëherë portën kundërshtare, por duket se Rusia nuk do arrijë ta godasë ndonjëherë portën spanjolle.

17′ Rusia nuk e sheh më topin. Spanja ka shënuar dhe tani bën atë që di më mirë: PASIME PA FUND!

11′ AUTOGOL RUSIA! Kros nga Asensio në zonën ruse, Ignasheviç mundohet të largojë topin duke luftuar me Sergio Ramos dhe shënon në portën e vet! Zhirkov kishte ndalur me faull Naçon dhe prej goditjes së dënimit erdhi autogoli. Autogol komik, sepse mbrojtësi rus po bënte mundje në zonë dhe nuk e pa fare topin!

8′ Plani rus duket i qartë: mbrojtje solide dhe kundërsulme të shpejta. Deri tani ka funksionuar pjesa e parë e planit.

1′ KA NISUR NDESHJA

Janë publikuar formacionet e sfidës mes Spanjës e Rusisë, që do të nisë në orën 16.00. Spanja do të hedhë në fushë një formacion shumë sulmues, duke shtuar edhe Asension në formacionin titullar, në një skemë 4-2-3-1.

Ne krahun tjetër, Rusia vendase nuk ka në formacion as mesfushorin e njohur Xagoev dhe as shënuesi e Botërorit, Çerishev, i pari ende me probleme fizike dhe i dyti për zgjedhje taktike.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *