Osmani u dënua 8 ndeshje, por luan me Flamurtarin?

Korçarët e apeluan dënimin që në atë kohë. Mësohet se dënimi u ul në 4 ndeshje, 2 nga të cilat kanë kaluar, 1 lahet me Mamurrasin dhe e fundit shlyhet me pagesë 

Të gjithë e mbajnë mend ndeshjen e 20 majit mes Kukësit dhe Skënderbeut. Korçarët u mundën në Kukës 2-0 dhe kuksianët siguruan titullin e parë kampion në historinë e tyre. Deri këtu gjithçka është në rregull, por askush nuk e harron atë pasdite gjykimin e Enea Jorgjit, i cili u bë më i “famshëm” se kurrë me kartonët, penalltitë dhe gjithë veprimet e tij. Madje, në atë ndeshje Salihi i grisi kartonin e kuq para syve këtij gjyqtari, ndërkohë që protestat kanë qenë të mëdha. Hamdi Salihi u dënua nga Komisioni i Disiplinës me 10 ndeshje, ndërsa Tefik Osmani me 8 ndeshje. Shkodrani u largua nga Skënderbeu dhe luan rregullisht në kategorinë e dytë në Austri, ku është ndër golashënuesit më të mirë. Tashmë sytë janë kthyer te Tefik Osmani, i cili u dënua plot 8 javë, por gjasat janë të rikthehet shpejt në fushë.

Burime të besueshme pranë klubit bardhekuq bëjnë me dije se Skënderbeu e apeloi dënimin dhe Apeli duket se e ka ulur atë dënim në 4 ndeshje, por kjo mbetet të konfirmohet zyrtarisht. Nga këto 4 ndeshje, Osmani 2 prej tyre i ka shlyer, pasi nuk luajti në kampionat ndaj Partizanit dhe në Superkupën e Shqipërisë ndaj Tiranës. Përveç këtyre ndeshjeve, më 6 shtator, kur Skënderbeu të luajë ndeshjen e Kupës së Shqipërisë ndaj Mamurrasit, ai nuk do të jetë në fushë dhe kështu bëhen 3 ndeshje. Takimi i katërt i bie ai ndaj Flamurtarit, në Korçë, më 8 shtator. Ka shumë gjasa që klubi kampion ta paguajë një ndeshje dhe në këtë mënyrë Osmani të jetë në fushë. Trajneri Daja e ka llogaritur titullar ndaj vlonjatëve dhe korçarët janë gati të paguajnë për shlyerjen e dënimit të mbetur. Të gjitha këto nuk janë lajme zyrtare, por të  besueshme për gazetën. Zyrtarisht për Tefik Osmanin do të mësohet ditët e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *