Osmani: Jemi paragjykuar, por ky është Skënderbeu!

Për mbrojtësin korçar, ekipi po u jep përgjigje të gjithë skeptikëve në fushë. Ai thekson se me këtë ritëm do të vazhdohet deri në javën e fundit

Leonard Trebicka

“Është e vërtetë që ndaj Luftëtarit nuk ishim në ditën tonë më të mirë, por po ndikojnë shumë edhe thashethemet e kohëve të fundit. Pra, ka fjalë sikur do të nënvlerësojmë sot e do të nënvlerësojmë nesër, por deri në këtë moment kemi treguar se jemi Skënderbeu. Këtyre paragjykimeve ua kemi treguar vendin. UEFA? Nuk na takon ne futbollistëve të merremi me të tilla gjëra. Ne merremi vetëm me kampionatin. Janë drejtuesit ata që merren me këto çështje ne besojmë shumë të merret një vendim në favorin tonë”, – thekson mes të tjerash në një intervistë për Sport Ekspres mbrojtësi Tefik Osmani, i cili garanton se Skënderbeu nuk do të tolerojë asnjë kundërshtar deri në javën e fundit. Ja intervista e plotë e tij:
– Osmani, si do ta komentonit fitoren ndaj Luftëtarit, që u përfol aq shumë për gjykimin?
– Së pari, dua të them se ishte një fitore e merituar dhe që e arritëm në fushë. Pas rezultatit 2-0, realisht e ulëm disi ritmin dhe kjo erdhi pasi e quajtëm të mbyllur takimin. Por kjo na gënjeu dhe lëshuam në fushë, duke bërë që Luftëtari të shënonte golin e shpresës, por vetëm kaq. E ritheksoj se e merituam fitoren dhe kjo nuk ka as diskutimin më të vogël.
– Në fakt, në këtë ndeshje ekipi në përgjithësi, sidomos në pjesën e dytë, hasi vështirësi. Pse?
– Po, vërtet nuk ishim në ditën tonë më të mirë, por po ndikojnë shumë edhe thashethemet e kohëve të fundit. Flitet sikur do të nënvlerësojmë sot dhe do të nënvlerësojmë nesër dhe deri në këtë moment kemi treguar se jemi Skënderbeu. Këtyre paragjykimeve ua kemi treguar vendin.
– Kaq shumë ju kanë bezdisur këto thashetheme?
– Në Shqipëri ju e dini që thashethemet janë prezente më shumë se në çdo vend tjetër. I garantoj të gjithë ata që merren me këto gjëra se Skënderbeu do të jetë i njëjti deri në javën e fundit. Siç e nisëm këtë kampionat, pas verës europiane, ashtu do ta mbyllim.
– Si e shihni çështjen e titullit kampion të këtij sezoni për Skënderbeun?
– Kemi bërë një kampionat super dhe është në fakt shumë afër, por vetëm kur ta mbyllim matematikisht do të festojmë. Mezi e presim atë ditë, ndërkohë që ritmi që kemi pasur nga fillimi deri në këtë moment ka qenë ai që di ta ruajë vetëm Skënderbeu, asnjë skuadër tjetër. Jemi gjithmonë me këmbë në tokë dhe pavarësisht superioritetit në fushë, e presim të qetë këtë trofe, që e duam njësoj sikur të ishte trofeu i parë.
– Jeni duke pritur trofeun e titullit, po vendimin e UEFA-s, si po e prisni?
– Nuk na takon ne futbollistëve të merremi me të tilla gjëra. Ne merremi vetëm me kampionatin. Janë drejtuesit ata që merren me këto çështje dhe ne besojmë shumë të merret një vendim në favorin tonë.
– 10 ditë pushim, mjaftueshëm për tu çlodhur dhe për të ristartuar për të shkuar më pas drejt titullit?
– I meritonim ato dy ditë pushim që na ka dhënë trajneri Ilir Daja. Gjej rastin të uroj të gjithë futbollistët e Skënderbeut që luajnë në kombëtaret e vendeve të tyre dhe i uroj Shqipërisë suksese në ndeshjen miqësore ndaj Norvegjisë.
– A është reale diferenca e pikëve që Skënderbeu ka krijuar me vendin e dytë?
– Skënderbeu ka një grup të shkëlqyer dhe këtë nuk e them vetëm unë, por e thotë gjithë Shqipëria. Ky grup kaq cilësor ka bërë që të kemi këto rezultate. Pa diskutim, duke parë këto rezultate, edhe kombëtaret janë më shumë prezente për të thithur sa më shumë futbollistë. Jo më kot jemi ndër skuadrat me më shumë futbollistë në ekipet kombëtare dhe e meritojmë plotësisht të jemi kaq të shkëputur.
Pas pushimit luani në Shkodër…
– Kalendari gjithmonë i vështirë ka qenë, por Skënderbeu e ka bërë të lehtë në fushë, sepse i ka vlerësuar njësoj të gjithë ekipet. Ne luajmë njësoj si në shtëpi, edhe në transfertë. Kemi kohë deri të mërkurën tjetër për të përgatitur Vllazninë dhe edhe në Shkodër shkojmë për fitore. Gjithsesi, ky pushim na ka bërë mirë dhe mezi presim të sigurojmë sa më parë titullin kampion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *