Osmani: Fitore për tifozët dhe për titullin kampion

Futbollisti i njohur i Skënderbeut ka dalë në konferencën për shtyp në mes dy djemve binjakë. Ka vlerësuar Flamurtarin, por pret 3 pikët e radhës të premten

Leonard Trebicka

I shoqëruar nga dy djemtë e tij binjakë, Tefik Osmani ka dalë dje në një konferencë shtypi, ku ka folur për fitoren e fundit dhe sfidën e radhës me Flamurtarin. Lojtari me përvojë i Skënderbeut beson se dy binjakët do t’i sjellin fat në ndeshjen e së premtes me Flamurtarin, që shënon edhe startin e fazës së tretë të kampionatit. Tefiku ka folur së pari për tri ndeshjet e para të këtij viti, për atë asist të rrallë për Vangjelin në ndeshjen e Shkodrës dhe sigurisht për ndeshjen e së premtes, duke e vlerësuar maksimalisht Flamurtarin, rivalin më të afërt në luftën për titullin kampion.  

AUTOKRITIKA

“Një ekipi si Skënderbeu, me lojtarë që kanë kaq shumë eksperiencë, nuk i falej një gabim tjetër pas humbjes në Gjirokastër. E kuptuam që ishte një moment i keq dhe duhej menjëherë ringritja. Nuk na falej hapi fals si në kupë ndaj Teutës, ashtu edhe në kampionat me Vllazninë. Mendoj se e kemi bërë më së miri kthesën. Pas ndeshjes në Gjirokastër, presioni edhe për shkak të ngushtimit të diferencës së pikëve me ndjekësit kaloi pak te ne, por fitorja e fundit në Shkodër ishte e rëndësishme dhe na ktheu aty ku ishim në mbyllje të pjesës së parë të sezonit. Jemi të shkëputur nga ndjekësit, ndaj dhe jemi të qetë. Përpara kemi një ndeshje të vështirë ndaj ekipit të vendit të dytë, që është Flamurtari. Nga ky moment duhet të kemi më shumë kujdes për të shkuar sa më shpejt te titulli kampion,” – ka theksuar fillimisht Osmani.

PASIMI

“Të them të drejtën, më vjen vërtet mirë që po flasin shumë për atë pasim që i dhashë Vangjelit në Shkodër. Ka qenë një ide e lindur në momentin që pashë Kristin të bënte atë lëvizje. Mendova  menjëherë të bëj atë pasim, edhe pse ne që luajmë në këto pozicione, e kemi të ndaluar kategorikisht nga trajneri Ilir Daja të bëjmë të tilla pasime. Do të ndihesha më mirë sikur të flisnin po kështu për të gjitha ato paraqitje që kam bërë sa herë kam luajtur para mbrojtjes dhe të më jepnin atë që meritoj”, – ka shtuar më tej numri 19 i Skënderbeut, i cili “gatoi” golin e barazimit në Shkodër me një diagonale të bukur për Vangjelin.  

FLAMURTARI

Sigurisht që vëmendjen më të madhe e ka marrë kryendeshja e javës së 19-të të kampionatit, Skënderbeu-Flamurtari. Sipas Osmanit, kundërshtari është shumë i vështirë, por skuadra e tij do të futet në fushë vetëm për tri pikët: “Kemi diferencën e 8 pikëve dhe një kundërshtar të vështirë si Flamurtari, por të gjithë e dimë që Skënderbeu në këtë ndeshje do të hyjë vetëm për të fituar. Jo vetëm ndaj Flamurtarit, por ndaj çdo ekipi është mjaft e vështirë, nëse nuk hyn në fushë me mendimin për të dhënë 100%. Prandaj duhet të jemi në maksimumin tonë të premten për të marrë fitoren, që është objektivi i vetëm. Është ndeshja e parë për këtë vit përballë tifozërisë sonë dhe shpresoj që ata të jenë të shumtë në stadium, kurse ne do t’i kënaqim me lojë dhe me rezultat”, – përfundoi Osmani, i cili ka edhe dy tifozë specialë, që dje i kishte pranë tij edhe në konferencën për shtyp.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *